(Ç)mësimi

Çmësimi është aftësia për të menduar dhe vepruar ndryshe, për t’i lënë pas vetes rutinat dhe mënyrat e dijes, të cilat janë të fiksuara dhe shpeshherë na pengojnë nga përparimi ose përshtatja në situata të reja. Nuk do të thotë harrim, por heqje dorë nga përvoja dhe dija e fituar më parë. Pasi të mësuarit është zakonisht një proces i gjatë dhe i ndërlikuar, ashtu është edhe të çmësuarit. Siguria e së njohurës zëvendësohet me pasigurinë dhe rrezikun e të panjohurës, por mundësia e përvojës së re—mundësia e ndryshimit dhe transformimit—fuqizon këtë proces sfidues.
OFF-Biennale është një kolektiv civil i vetëorganizuar, i themeluar në vitin 2014-15 si përgjigje ndaj situatës së krizës. Centralizimi i institucioneve artistike shtetërore hungareze, ekspozimi i tyre politik dhe largësia e tyre nga profesionaliteti e bëri të pamundur për shumë prej nesh që të vazhdonim të imagjinonim punën tonë përbrenda kësaj kornize. Prandaj, filluam diçka radikalisht ndryshe, pavarësisht faktit që nuk dinim se nga t’ia nismin, si të organizoheshim, si të bëheshim komunitet i përgjegjshëm dhe i vetëidentifikuar—komunitet që do të bënte bashkë dhe shumësonte zërat kritikë, mënyra të reja të të punuarit së bashku dhe hapësira të reja për t’i bërë gjërat ndryshe. E ngitnim biçikletën derisa e rregullonim, thonim.
Deri në atë kohë, disa prej nesh kishim përvojë të konsiderueshme profesionale, pasi kishim realizuar projekte, por themeli më i fuqishëm i dijes dhe përvojës sonë vinte nga puna jonë institucionale—vite të tëra të kaluara nëpër muze, galeri, universitete. Pavarësisht vështirësive të tyre, tensioneve të brendshme dhe pasigurisë financiare në rritje, shumica e institucioneve ofronin një bazë të fuqishme të dijes dhe një parashikueshmëri—një bazë prej së cilës mund ta shtynim veten përpara. Mënyra e funksionimit të institucioneve ishte mjaft e fiksuar, me disa rregulla të vendosura parprakisht dhe fleksibiliteti e ndryshimi ishin të kufizuara përbrenda kornizave të padukshme. Bëmë shumë përshtatje dhe mësuam ta bënim atë sepse, prej një moshe të hershme, përshtatja në institucione ishte kusht themelor për të mbijetuar.
Kur klima politike në vend u bë vërejtshëm e vështirë, kur përfaqësimi i vlerave, të cilat i përqafuam u bënë institucionalisht të pamundura, kur shtypja sistemike u bë më e gjerë, provuam të imagjinojmë një realitet tjetër. Dhe jo vetëm ta imagjinojmë atë, por ta jetojmë dhe ta bartim atë. Të shtireshim sikur të ishte e mundur të ndërtonim një bienale ndërkombëtare vetë, pa infrastrukturë dhe burime të sigurta. U shtirëm dhe kështu, e ndërtuam atë së bashku. Funksionoi, por për të funksionuar—siç e kuptuam në proces, nganjëherë më vonë—na u desh të hiqnim dorë nga dija dhe përvoja, t’i vërenim dhe t’i ndalonim shprehitë që presupozonin ekzistencën e një kornize sipër nesh, që na jepte një ndjesi të sigurisë dhe një ndjesi të të qenit të lidhur sepse tash po i bënim kornizat vetë, shpesh të reja.
Kemi mësuar shumë nga puna jonë institucionale; kemi qenë efektivë, të disiplinuar dhe rigorozë me veten, por tash nuk kemi shkuar në atë drejtim. E kemi braktisur, midis tjerash, mbështetjen shtetërore dhe komunale, që dikur merrej si e mirëqenë dhe po fillojmë të punojmë në një strukturë të re të financimit, të bazuar në bashkëpunim ndërkombëtar dhe (më pak) në sistemin vendor privat të mbështetjes, që është në zhvillim e sipër, por është ende i dobët.
Na është dashur të mësojmë nga fillimi se si të punojmë si komunitet në bërje, të zhvillojmë mënyra të vendimmarrjes, një sistem të brishtë dhe të ndjeshëm të bashkëpunimit në të cilin vazhdojmë pa dominim, në shumë mënyra, herë me ndërrim udhe, e herë në udhë pa krye, por megjithatë drejt një caku.
Në kontekstin e një kolektivi të grave si OFF-Biennale Budapest, të mësuarit gjithashtu nënkupton ekzaminimin kritik dhe refuzimin e normave dhe praktikave që mirëmbajnë strukturat partiarkale dhe njohjen dhe pranimin e faktit se gratë kanë përvoja të ndryshme jetësore. Të funksionuarit komunitar presupozon dëgjimin dhe kuptimin e rrëfimeve të njëri-tjetrit dhe pranimin e dallimeve në identitet. Kjo fije e vogël prej shumë anëve bëhet bashkë kur mësojmë kolektivisht. Baraspesha e të mësuarit nuk është negative; dija nuk humbet, por ndërrohet, përkthehet, transformohet.
Ky proces po ndodh tash e një dekadë. Nuk mund të themi se kemi arritur diku, por as nuk mund të themi se nuk kemi arritur diku. Edhe pse ne vetë nuk do ta kishim menduar, jo vetëm që u desh që shumë aspekte të dijes institucionale të kalonin nëpër një proces të çmësimit, por kështu ka ndodhur edhe me shumë mënyra tjera të punës, të cilat i kemi zhvilluar vetë. Edhe pas shumë vitesh, ende po mësojmë sërish e sërish se si të bashkëpunojmë, si të komunikojmë, si të mos përshtatemi. Dhe gjithë këtë e bëjmë, herë duke u dëmtuar, herë duke u gëzuar. Dhe prapë, ka ende shumë për të çmësuar.
Pa financim afatgjatë, një bazë të qëndrueshme organizative dhe siguri ligjore, zotimet personale janë burimet e organizatave jo-qeveritare, pa të cilat ndryshimi nuk do të ndodhë, por të cilat nuk janë domosdoshmërisht të mjaftueshme për të arritur ndryshim. Kur mendojmë për një kontekst të sigurt, ne nuk mendojmë më për rrjetet institucionale, por për aleancat e bazuara në punë profesionale, solidaritet dhe shoqëri, të cilat i kemi ndërtuar përgjatë dekadës së fundit. Dhe ky është një kontekst, i cili, duhet shtuar, është vazhdimisht i kërcënuar pikërisht sepse i vendosim një barrë të rëndë mbi supe. Ne caktojmë pritshmëri për veten, të cilat çojnë në vetë-eksploatim, lodhje dhe dërmim, gjë që na i konsumon burimet personale dhe komunitare. Mbase kjo është një tjetër shprehi që do të na duhet ta çmësojmë, ashtu që të vazhdojmë ta mirëmbajmë veten.