← Fjalorth i termave të përbashkimit

Vetëfuqizimi

Procesi i fuqizimit duhet të jetë rreth dhënies së mbështetjes për një person apo grup, ashtu që ai person apo grup eventualisht të ketë mundësi të qëndrojë në këmbë pa mbështetjen e tjetërkujt. Kur është fjala për fushën kulturore dhe artistike, qëllimi i një procesi të fuqizimit duhet t’ia mundësojë personit apo grupit që të vazhdojë një nismë apo projekt artistik a kulturor me forcat e veta. Nëse ky proces ndodh me vetë iniciativë dhe tërësisht apo gati tërësisht pa ndihmë të tjetërkujt, atëherë fjala vetëfuqizim është e përshtatshme.

Në fillim të një mbështetjeje serioze për një proces të fuqizimit, pa marrë parasysh a iniciohet nga jashtë apo niset nga vetë fuqizuesit, ka përkushtim. Më saktë, është vullneti jo vetëm për t’i komunikuar metodat e praktikës artistike dhe kulturore, por edhe për të ndarë qasjen në burime të disponueshme dhe për t’i bartur dijet e fituara përgjatë praktikës dhe përvojës për veprim të pavarur. Nuk duhet frikësuar se mos po ofron shumë informata ose mos po ndan tepër shumë njohuri ose mos po bëhesh i panevojshëm në fund. Kur njerëzit mësojnë një shkathtësi dhe janë të aftë të marrin përgjegjësi për veprimet e tyre, atëherë është logjike që ata përfundimisht nuk do të kenë nevojë për “instruktorët”.

Kur ndodhi pushtimi rus në shkallë të plotë i Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, bashkë me tranzit.at në Vjenë dhe e Künstler*innenhaus Büchsenhausen në Innsbruck, si dhe Ministrinë Federale të Austrisë për Art, Kulturë, Shërbim Civil dhe Sport, < rotor > në Graz nisëm Zyrën Ukrainë — Strehim për artistët ukrainas. 

Nga ai moment, një numër artistësh dhe punonjësish kulturorë nga disiplina të ndryshme artistike gjetën një vend të sigurt për të qëndruar në Austri. Ekipi në Zyra Ukrainë në Graz ofroi mbështetje për personat e zhvendosur, kryesisht në zonën e Graz dhe provincën e Styria, duke u ndihmuar atyre që të gjejnë akomodim, të merren me çështjet administrative dhe të ballafaqohen me jetën e përditshme. Qëllimi afatgjatë ishte dhe është që t’i lidhim artistët e rinj që po jetojnë në qytet dhe provincë me artin dhe skenën kulturore lokale dhe ta bëjmë më të lehtë për ta që të kenë qasje në të gjitha shërbimet dhe programet e ofruara nga institucionet publike dhe organizatat e pavarura.

Të ashtuquajturat shtëpi të hapura u organizuan gati çdo katërmbëdhjetë ditë, duke u mbajtur me ndërrime midis < rotor > dhe institucioneve tjera të ndryshme nga fusha e artit dhe kulturës, çështjeve shoqërore, shëndetit, punës e kështu me radhë. Ekspertët/et nga fushat respektive raportuan për aktivitetet e tyre dhe i ndanë metodat e punës me organizatat dhe institucionet austriake. Për shembull, pjesëmarrësit/et në shtëpitë e hapura patën mundësi ta familjarizojnë veten me logjikën e mjedisit institucional, strukturës së mundësive për fonde dhe proceset që duhen ndërmarrë për t’i themeluar vetë institucionet e veta ose për ta nisur aktivitetin e tyre të vetëpunësimit artistik në Austri. Shumica e aktiviteteve kishin për qëllim që ta bënin më të lehtë për anëtarët e rinj të skenës kulturore të qytetit të Graz dhe provincës Styria, që t’i nisin ditët e tyre si artistë dhe punonjës kulturorë. 

Në kohën e botimit, pushtimi në shkallë të lartë në Ukrainë ka bërë tri vjet dhe Zyra Ukrainë ka ekzistuar për aq kohë. Luftës nuk po i duket fundi, por një pikëpamje e re po shpërfaqet për Zyrën Ukrainë Graz. Tash e disa muaj, komuniteti artistik ukrainas në Graz ka qenë duke krijuar vendin e vet për prezantim dhe produksion artistik, të quajtur ZIEGEL. Dhe Zyra Ukrainë Graz mund ta konsiderojë veten me fat për faktin që është mbështetur logjistikisht dhe përcjellur nga një projekt qysh prej fillimit, projekt ky që bazohet në vetëorganizimin e kolegëve ukrainasë përbrenda mjedisit kulturor dhe artistik në Austri. Dhe mbase, projekti ZIEGEL do të zhvillohet në një drejtim, në të cilin aktivitetet e Zyra Ukrainë Graz mund të lulëzojnë. E ardhmja do të tregojë nëse ky vizion është përmbushur.

Newsletter

Logo EU