← Fjalorth i termave të përbashkimit

Lehtëso dhe de-eskalo

Në një ambient në të cilin një grup njerëzish bashkëpunojnë, konflikti është ndodhi natyrore. Qoftë në kolektive të punës, diskutime në komunitet apo ambiente edukimi, mendimet, personalitetet apo këndvështrimet e ndryshme çojnë në tension. Megjithatë, krejt kjo nuk ka nevojë të jetë e dëmshme. Këtu vjen në pyetje roli i lehtësuesit/es. Qëllimi i një lehtësuesi/je është që të sigurohet që të gjithë pjesëmarrësit/et të ndihen se zëri po u dëgjohet, teksa njëkohësisht e drejton grupin drejt qëllimeve, aspiratave dhe shtigjeve të përbashkëta.

Mospajtimet janë pjesë natyrale e dinamikave grupore. Lehtësuesit/et mund të parandalojnë konfliktet duke mbështetur një kulturë të të dëgjuarit aktiv, duke inkurajuar pjesëmarrësit/et që të kuptojnë pikëpamjet e tjetrit përpara se të kërcejnë në përfundime. Kur ndodhin keqkuptimet, një lehtësues/e mund t’i qartësojë ose t’i përmbledhë qëndrimet, ashtu që të parandalojë keqkuptimet dhe të mundësojë respekt të përbashkët. Duke identifikuar një pikë të përbashkët dhe duke artikuluar qartazi fushat e mospajtimit, lehtësuesit/et mund të ndihmojnë pjesëmarrësit/et të mbesin të përqendruar në synimin e përbashkët në vend të dallimeve. Në raste kur emocionet janë të forta, një lehtësues/e mund të de-eskalojë tensionin thjesht duke e njohur ekzistencën e konfliktit. Duke i dhënë emër çështjes, pjesëmarrësit/et kanë mundësi të shkojnë një hap mbrapa dhe të krijojnë një pamje më të gjerë të çështjes. Lehtësuesit/et po ashtu mund të sugjerojnë pushime, ashtu që njerëzit të kenë kohë të qetësohen dhe reflektojnë. Nëse është e nevojshme, ata/o mund të organizojnë biseda individuale për të kuptuar më mirë pikëpamjet përplasëse, duke kultivuar një ndjesi të të qenit të dëgjuar dhe vlerësuar. Mbi të gjitha, megjithatë, siç na kanë mësuar Elja Plíhal dhe Zuzana Kašparová, gjatë një punëtorie rreth procesit të lehtësimit, thelbi i rolit të lehtësuesit/et qëndron në besimin se sjellja e njërit është simptomë e dinamikës së të gjithëve. Roli i lehtësuesit/es është që të zbërthejë dhe të gjejë udhën përbrenda kësaj dinamike. Lehtësimi për të cilin kemi mësuar, ofron një alternativë ndaj përjashtimit, largimit apo dënimit të një individi, pa e përfshirë tërë komunitetin. Për këtë, ai luan një rol kaq të rëndësishëm në drejtësinë restauruese dhe transformative. 

Në kampin veror në kontekstin e Biennale Matter of Art 2024 morën pjesë fëmijë nga klasa të ndryshme sociale: fëmijë nga Praga 7 (një pjesë shumë e gjentrifikuar e kryeqytetit), fëmijë të refugjatëve ukrainas dhe fëmijë nga lagjja e “Přívoz” në Ostrava (një pjesë shoqërisht problematike e qytetit). Pashmangshëm, kishte konflikte, të cilat vetëm sa pasqyronin tensionet e gjera shoqërore. Konfliktet që ndodhën midis fëmijëve u zgjidhën përmes teknikave të lehtësimit dhe qasjes restauruse të këshilluesve të kampit. 

Palëve në konflikt iu dha hapësirë që të tregonin anën e tyre të rrëfimit, pastaj ata që u prekën nga konflikti patën mundësi ta shpjegonin ndikimin që konflikti pati në ta dhe, në fund, të dy palët mund të punonin bashkë për të gjetur mënyra se si do të mund të funksiononin dhe komunikonin me njëri-tjetrin. E gjithë kjo ndodhi nën udhëzimin e lehtësuesve/eve të rritur/a. Falë tyre, jo vetëm që një vajzë nga një prapavijë e klasës së mesme të lartë dhe një vajzë nga një prapavijë shumë e margjinalizuar, të cilat e kishin vështirë ta kuptonin njëra-tjetrën, ishin të afta të bashkëjetonin dhe punonin në një grup, por edhe nuk u dëmtua i gjithë grupi për shkak të konfliktit të tyre.

Mënyra se si ndërmjetësuesit/et tanë/këshilluesit e kampit veror iu qasën konfliktit na u duk shumë frymëzuese në një kohë kur ndihemi sikur mbijetesa e organizatave kulturore varet nga bashkëpunimi dhe pajtimi me një grup të gjerë njerëzish, nismash dhe organizatash. Gjetja e një pike të përbashkët dhe navigimi i dallimeve të perceptuara, na duket e rëndësishme jo vetëm në sferën kulturore, por edhe në shoqëri në përgjithësi. Në shoqëritë tona—për arsye si gjentrifikimi, sistemet arsimore që riprodhojnë padrejtësinë shoqërore ose shpërndarja e pabarabartë e burimeve në qytete të mëdha në krahasim me rajonet tjera të vendit—ka pak e më pak hapësira ku njerëzit nga prapavijat e ndryshme klasore mund të takohen dhe të ndërveprojnë. Përmes kampit, ne krijuam një hapësirë që fëmijët nga prapavijat e ndryshme kulturore dhe klasore të takohen dhe ndërveprojnë. Pas kampit, kur e pyeta një vajzë nga Praga për mendimin e saj, ajo i quajti fëmijët nga Ostrava “të çuditshëm” dhe “të pazakonshëm”. Mund të duket se ky ishte dështim i projektit, një përforcim i stereotipeve shoqërore, racizmit e kështu me radhë. Megjithatë, më kujtohet takimi dhe bashkëjetesa në shkollë fillore me fëmijë që më dukeshin “ndryshe” ose “të pazakonshëm”—fëmijë prej prapavijave shumë ndryshe nga e imja. 

I kam kuptuar sjelljen dhe qëndrimet e tyre tek vite më vonë. Por a përballen me diçka të panjohur fëmijët e së sotmes, të cilët shpërngulen në hapësira homogjene për kah klasa? A nuk është kjo ndjenjë e parehatisë e rëndësishme që hapësira jonë publike të jetë demokratike, heterogjene dhe gjithëpërfshirëse? A nuk duhet të mësojmë të jetojmë me njerëz, të cilët na duken “të pazakonshëm” A është ky roli i kulturës sot kur institucionet tjera dështojnë ta përmbushin atë rol?

Newsletter

Logo EU