Partnerët e Projektit
La Escocesa
Barcelona, Spanjë
La Escocesa është organizatë dhe rezidencë e arteve pamore bashkëkohore, e menaxhuar kolektivisht përmes shoqatës së artistëve Associació d’Idees EMA. Ne përqendrohemi në mbështetjen e organizatave dhe agjentëve kulturorë, duke u ofruar hapësira pune dhe burime për t’i zhvilluar projektet e tyre. Ne ofrojmë studio dhe punëtori për rreth tridhjetë artistë rezidentë, bashkë me një program falas të ngjarjeve, thirrjeve të hapura dhe trajnimeve. Si hapësirë e komunitetit artistik, ne nuk përqendrohemi vetëm në prodhimin dhe krijimin e veprave, por edhe në krijimin e përbashkët të dijes, rrjeteve të kujdesit dhe mënyrave të reja të ndërtimit dhe funksionimit të institucioneve kulturore. Natyra kolektive e funksionimit të qendrës mundëson pjesëmarrjen aktive të artistëve/eve, duke krijuar një strukturë kolektive horizontale, përmes së cilës menaxhohet qendra. Si institucion feminist, vlerat tona burojnë nga pozita ndërthurëse, emancipuese, bashkëpunuese dhe gjithpërfëshirëse, që avokon për qëndrueshmëri, eksperimentim, bashkëpunim dhe zhvillim të projekteve komunitare artistike. Ne i kuptojmë vlerat jo vetëm si një varg qëndrimesh, por si zotime që duhet të jetësohen përmes një procesi kolektiv të mësimit dhe reflektimit të vazhdueshëm.
Në kuadër të Art Space Unlimited, La Escocesa zhvilloi Trenza, një program ndërmjetësimi, të dizajnuar nga kolektivi Lumbre. Qëllimi i Trenza është që të krijojë një thirrje të hapur që La Escocesa të bëhet shtëpi për komunitetet, të cilat momentalisht nuk e frekuentojnë atë. Trenza përqendrohet në migrantët nga Jugu Global, të cilët janë të përfshirë në prodhim dhe praktikë të artit dhe kulturës dhe të cilët, për shkak të pabarazive strukturore, nuk janë ende pjesë e qarqeve të artit bashkëkohor në qytet. Propozimi organizohet në tri linja: Zjarri, Toka dhe Aleancat. Këto linja, të ndara, por të ndërvarura, synojnë të jenë të gërshetuara përbrenda dhe përreth komunitetit që e frekuenton La Escocesa me qëllim që të krijohen aleanca.
OFF-Biennale
Budapest, Hungari
OFF-Biennale Budapest është një nismë komunitare, që ofron platformë për art bashkëkohor pamor përparimtar dhe kritik. Përgjatë 10 viteve të fundit, OFF-Biennale është bërë ngjarja më e madhe e artit të pavarur bashkëkohor në Hungari. Ka për synim të fuqizojë skenën lokale të artit të pavarur dhe të kontribuojë në diskursin publik në çështje sociale, politike dhe mjedisore, me qëllimin që të promovojë një kulturë të demokracisë përmes artit. Në një klimë politike jo mbështetëse ndaj vetëorganizimit dhe aktivizmit qytetar dhe kulturor, OFF ka mbetur një prej organizatave të pakta në Budapest, që ende punon në mënyrë aktive në krijimin e një mjedisi për liri të shprehjes, duke përforcuar pavarësinë dhe duke imagjinuar një model për një institucion transparent dhe autonom të artit, që fiton qëndrueshmëri nga rrjetet e tij të shumta e të gjera vendore dhe ndërkombëtare.
Në kuadër të OFF-Biennale 2025 ne ftuam Recetas Urbanas—një kolektiv ndërkombëtar i arkitektëve dhe artistëve—për një bashkëpunim në Budapest. Bazuar në metodologjinë e tyre, që promovon arkitekutrën e angazhuar në aspektin shoqëror përmes përfshirjejes së komunitetit dhe dizajnimit të përbashkët, ne do të realizojmë një projekt të arkitekturës komunitare me organizata lokale dhe komunitete në lagjen shumëkulturore të Distriktit VIII, te sheshi “Kálvária”. Struktura e planifikuar jo vetëm që do të bashkëdizajnohet dhe ndërtohet me pjesëmarrësit, por ata po ashtu do të përcaktojnë funksionin e saj, bazuar në vizionet dhe nevojat e tyre, duke i kthyer kështu mungesat në mundësi. Ndërtimi, që po ashtu paraqet temën qendrore të OFF 2025, është më shumë sesa thjesht një strukturë fizike—është një proces. Prej dhjetorit 2024, punëtori dhe ngjarje të ndryshme bashkëpunuese kanë bërë bashkë komunitete të ndryshme që jetojnë, punojnë dhe e përdorin lagjen: komunitetet lokale rome, grupet civile të distriktit, migrantët dhe refugjatët, si dhe fëmijët dhe të rriturit nga kontekste të pafavorizuara.
< rotor >
Budapest, Hungari
Themeluar në vitin 1999, < rotor > Qendra për Art Bashkëkohor ndodhet në Graz, Austri. Programi i institucionit bazohet në artet pamore dhe përqendrohet në veprat artistike, që në mënyrë të hapur trajtojnë çështjet shoqërore, politike, ekologjike dhe ekonomike të së tashmes. Qendra e pavarur e artit është e strukturuar si shoqatë dhe e ndjek një mision edukativ. Si rrjedhojë, ndërjmetësimi te një publik më i gjerë ka rëndësi të madhe. Promovimi i bashkëpunimit dhe veprimit të rrjetëzuar është element themelor i filozofizë së < rotor >.
Kjo ka të bëjë me përpjekjet për rrjetëzim përbrenda fushës së artit, por edhe me përfshirjen e njerëzve dhe organizatave nga prapavijat tjera. Kërkimi për metoda bindëse të bashkëpunimit dhe mundësive të pjesëmarrjes në procese artistike është një tjetër temë me rëndësi. Një aspekt i rëndësishëm është përfshirja e njerëzve, të cilët në të kaluarën kanë pasur pak qasje në art bashkëkohor. Për < rotor > hapësira publike është mjedis i rëndësishëm për ta jetësuar artin. Akti i lënies së hapësirës së artit përdoret për të promovuar dhe rishikuar praktikat artistike përpara një publiku të gjerë, për t’i negociuar publikisht temat dhe për t’i vënë njerëzit në kontakt me artin, në mënyrë aktive.
Si pjesë e Art Space Unlimited, < rotor > ka shpeshtuar bashkëpunimin midis artistëve dhe punonjësve kulturorë dhe disa grupeve të synuara të audiencës. Projektet e zbatuara synonin në veçanti gratë, fëmijët, rininë dhe njerëzit me të kaluar emigruese. Në tri ekspozitat e njëpasnjëshme, disa nga veprat e prezantuara u prodhuan në një mënyrë pjesëmarrëse, si dhe u ofruan punëtori dhe programe të edukimit artistik.
Ekspozita “Wild Spots” (Pika të egra) fliste për lidhjen midis njerëzve që jetojnë në qytet dhe “natyrës së egër”; për “Sediment”, artistët/et dhe kuratorët/et turke-kurde u përqendruan te lumenjtë e rrezikuar; dhe “Mostly mined out” (Kryesisht të larguar me mina) pasqyroi migrimin e shtyrë nga lufta të ukrainasve.
Shtatëmbëdhjetë (17)
Prishtina, Kosovë
Shtatëmbëdhjetë (17) është organizatë kulturore në Prishtinë, Kosovë, i përkushtuar që të nxisë ndryshim shoqëror përmes nismave artistike dhe edukative. I themeluar në vitin 2018, Shtatëmbëdhjetë ka si vizion një shoqëri ku të gjithë qytetarët marrin pjesë lirshëm dhe në mënyrë kuptimplotë në jetën publike përmes kulturës, edukimit dhe aktivizmit. Puna e fondacionit përqendrohet në aktivizëm kulturor, hapësirën publike, politikbërje, avokim, qëndrueshmëri mjedisore, barazi gjinore dhe të drejta të njeriut. Përmes funksionimit në hapësirat e veta kyçe—Galeria 17 dhe Rezidenca 17— Shtatëmbëdhjetë shërben si vend për edukim, aktivizëm dhe eksplorim të guximshëm artistik.
Përbrenda Art Space Unlimited dhe përbrenda përkushtimit të vet ndaj ndërmjetësimit kulturor, Shtatëmbëdhjetë (17) ka zhvilluar ekspozita dhe ngjarje komunitare si “Queer Ecology”, një eskpozitë që shtjellonte çështjet mjedisore përmes teorisë queer, një punëtori për poezi rreth narrativave queer dhe një sesion pune me letër të ricikluar si medium për shprehje artistike. Duke krijuar hapësira për mësim kolektiv dhe angazhim kritik, programi fuqizon lidhjet midis artit, aktivizmit dhe komuniteteve lokale.
tranzit.cz
Praga, Republika Çeke
Nisma për art bashkëkohor tranzit.cz, u themelua në vitin 2002, në Pragë, Çeki. Nisma organizon ekspozita, rezidenca artistike dhe kuratoriale dhe programe diskursive, që të gjitha me qëllimin që të kontribuojë në zhvillimin e qasshëm dhe pjesëmarrës të kulturës kritike. Prej vitit 2020, tranzit.cz ka organizuar Biennale Matter of Art dhe që prej vitit 2023, dy herë në vit organizon një festival të artit performativ. Në vitin 2017, tranzit.cz nisi krijimin e institucioneve Code of Feminist (Art). tranzit.cz po ashtu ka botuar përkthime në gjuhën çeke të teksteve nga fushat e teorisë kritike, filozofisë, teorisë së artit, feminizmit dhe prozës (nga autorë/e si McKenzie Wark, Sophia Giovannitti, Sophie Lewis, Audre Lorde, Frantz Fanon, Bruno Latour, Marcel Duchamp dhe të tjerë/a).
Si pjesë e projektit Art Space Unlimited, tranzit.cz organizoi një seri të punëtorive të ndërmjetësimit dhe një kamp veror për fëmijët e gruposhës 9-14 vjeç. Këto ngjarje ishin pjesë e Biennale Matter of Art 2024. Projekti i ndërmjetësimit, i quajtur “The Great Land of Small” (Toka e madhe e të vegjëlve) synonte t’i ndihmonte fëmijët prej prapavijave të ndryshme shoqërore që të gjejnë një mënyrë të veçantë për të menduar rreth artit dhe ekspozitave, si dhe të fitojnë vetëbesimin që t’i shprehin mendimet e veta. Fëmijët eksperimentuan me mënyra të ndryshme të përçimit të mendimeve, ëndrrave dhe ideve të tyre—nga incizimet me zë te gazetat deri te kontributi në vizatime. Pjesëmarrësit u udhëzuan nga artistët/et dhe edukatorët/et, Eva Koťátková, Bára Šimková, Mary C, Magda Stojowska dhe Tadeáš Polák. Projekti rezultoi me botimin e gazetës së fëmijëve “This is not baloney” (Kjo nuk është palidhje), që përbëhej nga intervistat, raportet, vizatimet dhe fotografitë e krijuara nga fëmijët.