Koha / Burimet

Kur është fjala te përfshirja e njerëzve në proceset e krijimit artistik dhe punës kulturore, duhet të konsiderohet edhe pyetja në vijim: Kush ka kohë të marrë pjesë? Përgjigja në këtë pyetje lidhet me motivet e ndryshme që mund ta shtyjnë dikë që ta kontribuojë kohën (e lirë) e vlefshme në një projekt pjesëmarrës artistik ose që të marrë pjesë në një aktivitet edukativ. Shkëmbimi i dijes mund të jetë motiv, prapa të cilit qëndron kureshtja: Unë vij në një aktivitet të papaguar, në kohën time të lirë, me shpresë që do të kthehem në shtëpi më i pasur në përvojë dhe dije. Lidhjet miqësore mund të jenë qenësore: Unë shkoj në aktivitet sepse atje njoh njerëz me të cilët jam i lidhur dhe pres që të kaloj një kohë të këndshme. Një brengë e përbashkët mund të jetë vendimtare: Më duhet që absolutisht të marr pjesë në këtë aktivitet; është e rëndësishme për mua që ta mbështes këtë çështje përmes pjesëmarrjes sime. Dhe në fund, kompensimi financiar është motiv i fortë: Një pagesë e mirë ofrohet për pjesëmarrje në një nismë artistike, gjë që mund të kontribuojë në financat e mia.
Tema është përmendur sërish e sërish përgjatë praktikës sonë kulturore me pjesëmarrës individualë, e edhe me grupe të organizuara. Këta të fundit ndjekin logjikë tjetër. U bë me të vërtetë e qartë dhe e prekshme në kontekstin e një projekti me organizatën Danaida, një qëndër edukative dhe pikëtakim për gratë në lagjen tonë. Shoqata ofron kurse gjermane dhe kurse të shkrim-leximit dhe atë që quhet “edukim bazik” për gratë migrante.
Kjo ndodhi disa kohë më parë, por ende ka ndikim. Në vitin 2012, qendra jonë e artit < rotor > propozoi një bashkëpunim me artisten që vepron në Graz, Maryam Mohammadi. Ajo tashmë kishte shumë përvojë në punën e kujdesshme me gra dhe veç kishte menduar për atë se çka mund të bënim bashkë me gratë nga kurset e Danaida. Megjithatë, kërkesa jonë miqësore u prit me një përgjigje të papritur: Na vjen keq, jemi shumë të zëna duke e mësuar përmbajtjen në kurset tona dhe nuk kemi kohë për të bashkëpunuar me një artiste.
Pasi e menduam mirë, pasi interesi bazik ishte aty, deshëm të kuptonim nëse do të kishte ndonjë mundësi për bashkëpunim. Zgjidhja ishte që ta integronim projektin artistik përbrenda planprogramit të kursit. Rezultoi në një projekt prekës “It’s in the hands of women” (është në duar të grave) si pjesë e kurseve. Në fund, 118 gra kontribuuan në projekt duke sjellur me vete një objekt, që e kishin marrë me vete gjatë migrimit në Austri. Artistja i fotografoi objektet në duart e grave. Si pjesë e procesit të të mësuarit, gratë u ftuan të flisnin rreth kuptimit të objektit të tyre, historinë e vet personale dhe ta përshkruajnë në pak fjali. E tërë vepra më pas u ekspozua në një ekspozitë në Muzeun e Grazit, i cili më pas u vizitua nga shumë pjesëmarrës/e.
Që prej atëherë, grupet e Danaida me pjesëmarrëset e tyre gra, kanë qenë pjesë e “audiencës së rregullt” të < rotor >. Ne gjithnjë përpiqemi t’u përshtatemi nevojave dhe dijes ekzistuese të pjesëmarrëseve të kursit dhe të ofrojmë ndërmjetësim të përshtatur përkitazi me nevojat e caktuara. Kështu bëmë edhe me një punëtori përbrenda Art Space Unlimited, të mbajtur nga Nayari Castillo, anëtare e grupit Forest Encounters (Përvoja malore). Në punëtori, një grup i grave shkëmbyen pikëpamje të ndryshme rreth të të kuptuarit të tyre ndaj “malit”. Pjesëmarrëset shkruajtën përvojat e tyre personale të malit, qoftë në gjuhët e tyre amtare apo në gjermanisht dhe këto tekste u bënë pjesë e përmbledhjes Forest Encounters Glossary (Fjalorthi i Përvojave Malore).
Çka na tregon ky rrëfim, që filloi me një refuzim, rreth ekonomisë së kohës? Organizata jo-qeveritare me të cilën ishim të supozuar të punonim kishte një program të ngarkuar kursi dhe pjesëmarrësve supozohej t’u mësoheshin shkathtësi të caktuara. Nuk kishte kohë për tjetërçka. Dhe gratë që po i ndiqnin këto kurse i kishin angazhimet e tyre po ashtu. Shumë prej tyre ishin të zëna duke u kujdesur për fëmijët dhe duke i organizuar jetët e tyre të përditshme me një buxhet të cogël. Do të ishte e vështirë për to të gjenin kohë të punonin me një artiste, midis kurseve intensive që po i ndiqnin apo që të shfrytëzonin me iniciativën e vet atë që ofronte programi kulturor ose i ndërmjetësimit i një qendre të artit.
Në fund, ky grup i grave pati mundësinë të merrte pjesë vetëm për shkak të integrimit mjeshtëror të projektit të artit bashkëkohor përbrenda planprogramit të kursit.