Përfshirja e komuniteteve

Krijimi i hapësirave për komunikim dhe bashkëpunim nuk ka të bëjë vetëm me ofrimin e një platforme—ka të bëjë me të siguruarit që secili ndihet i dëgjuar, i vlerësuar dhe sikur janë pjesë e diçkaje kuptimplotë. Ka të bëjë me të qenit të qëllimshëm në mënyrat se si angazhohemi me njerëz, duke u siguruar që ndërveprimet tona të jenë të sinqerta dhe jo thjesht sa për të kryer punë.
Në vend se të mbështetemi vetëm në ftesa formale ose lajmërime publike, ne i japim përparësi angazhimit personal kur organizojmë ngjarje në Prishtinë apo tjetërkund. Kjo qasje mundëson që edhe zërat e atyre që shpesh lihen jashtë, të dëgjohen dhe të merren parasysh në formësimin e botës sonë. Duke i takuar njerëzit ku ata janë—qoftë në shtëpitë e tyre apo në vendet që i frekuentojnë, siç janë qendrat komunitare ose mbledhitë lokale—ne shkojmë përtej metodave digjitale për të ndërtuar lidhje më të thella dhe për të kuptuar njëmend nevojat e komunitetit. Kjo na bën që të krijojmë ngjarje më gjithëpërfshirëse dhe me ndikim.
Ky angazhim personal formëson punën tonë me hapësirat kyçe si Galeria 17 dhe Rezidenca 17. Prej fillimit, Galeria 17 ka qenë e përkushtuar të përfshijë komunitetin lokal. Në fakt, grupi i parë i ftuar në galeri ishin banorët e lagjes afër hapësirës në Prishtinë, të cilët patën mundësi të përjetojnë ekspozitën para se ajo të hapej për të tjerët. Që prej atëherë, çdo ekspozitë përcillet me një plan edukativ dhe të përfshirjes. Kjo përfshin kontaktet me shkollat, universitetet dhe organizatat e ndryshme jo-qeveritare dhe shoqatat, që punojnë në tema të ngjashme, për t’i ftuar që ta vizitojnë galerinë. Varësisht nga tema e çdo ekspozite, ne po ashtu ftojmë mësimdhënësit/et, ligjëruesit/et dhe studentët/et që të mbajnë klasa, diskutime ose reflektime në galeri. Për më shumë, ne i dokumentojmë dhe arkivojmë ekspozitat në formatin 360 shkallë, duke ua mundësuar grupeve, që nuk mund të vijnë për vizitë fizikisht për arsye të ndryshme, që ta përjetojnë ekspozitën përmes realitetit virtual, VR.
Një prej momenteve më me ndikim i këtij angazhimi ndodhi kur ia prezantuam një ekspozitë VR një grupi nxënësish, të cilët kurrë s’e kishin përjetuar artin në mënyrë kaq të përfshirë. Shumë prej këtyre nxënësve vinin nga shkolla në Kosovë, ku ekspozimi ndaj teknologjisë ishte i kufizuar dhe mundësitë për përvoja të këtilla ishin të rralla, kryesisht për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe kushteve të vështira në shumë shkolla. Entuziazmi i tyre ishte ngjitës, me një nxënës, që tha “po më duket sikur po eci në Hapësirë!” Kjo përvojë tregoi fuqinë që teknologjitë e reja e kanë në bërjen e artit më të qasshëm, sidomos ndaj atyre që mund të mos kenë mundësinë të vizitojnë një galeri tradicionale, qoftë për shkak të vendndodhjes apo kufizimeve financiare.
Rezidenca 17 e ndjek një filozofi të ngjashme në zhvillimin e vet. Prej themelimit, kemi angazhuar grupe të ndryshme në restaurimin e kësaj hapësire të neglizhuar publike—shtëpia e dikurshme e Hivzi Sulejmanit, e cila tashmë është shtëpia e Rezidenca 17—në bashkëpunim me organizata jo-qeveritare, studentë/e të arkitekturës, artit dhe dizajnit nga universitetet publike dhe private në Prishtinë.
Takimet e rregullta dhe të vazhdueshme me komunitetin kanë qenë kritike në formësimin e programit dhe shërbimeve të programit përkitazi me nevojat lokale. Po ashtu, kemi përfshirë lagjen në dizajnimin e hapësirës së jashtme. Për ta rritur pjesëmarrjen dhe për t’u siguruar që ka pjesëmarrje diverse, personalisht kemi ftuar njerëz, duke ua shpjeguar misionin dhe duke i inkurajuar që të na bashkohen. Kjo qasje direkte ka çuar në pjesëmarrje më spotane dhe një numër më të gjerë zërash në bisedë. Po ashtu, shkojmë përtej lagjeve lokale. Një prej projekteve tona më të rëndësishme, Metamorfoza, përqendrohet në gjurmimin e historisë dhe kujtesës kolektive, që lidhet me ndërtesat e braktisura. Në kontekstin e Prishtinës, shumë prej këtyre ndërtesave lidhen me ubranizimin e shpejtë të qytetit dhe ngjarjet socio-politike, që e kanë formësuar Kosovën përgjatë dekadave të fundit. Pas luftës së të ‘90-ave të vona dhe tranzicioneve që erdhën pastaj, Prishtina—si shumë qytete tjera të dala nga konflikti—ka parë një përzierje të zhvillimit, neglizhimit dhe sfidave.
Ndërtesat e braktisura e reflektojnë këtë histori të vështirësive të mëdha dhe ndryshimeve të komuniteteve. Përmes këtij projekti, tërheqim vëmendjen kah rrëfimet mbrapa këtyre ndërtesave dhe e ftojmë komunitetin t’i ndajnë reflektimet e tyre. Kjo nismë përcillet nga botime dhe ekspozita, që dokumentojnë kontributet e komuniteteve lokale në ruajtjen dhe interpretimin e kujtesës së tyre kolektive. Përmes Metamorfozës dhe ndërhyrjeve tjera në vende specifike, ne trokasim nëpër dyer, i ftojmë njerëzit të marrin pjesë në hulumtimin rreth kujtesës kolektive. Duke i angazhuar komunitetet në hulumtim, jo vetëm që krijojmë art, por edhe sigurohemi që përjetimet dhe rrëfimet e tyre të jenë pjesë e narrativës. Është e rëndësishme t’i përfshijmë njerëzit në bisedë dhe t’i bëjmë ata të ndihen sikur kanë hise në atë që po krijohet.
Përmes përfshirjes personale dhe bashkëpunimit, ne krijojmë ambiente ku komunikimi çon në bashkëpunim dhe bashkëpunimi çon në transformim. Kështu krijojmë ura midis ndasive—njerëzve, ideve dhe mundësive–dhe arrijmë ndikim të gjatë, kuptimplotë.