Bërja / Mbajtja / Dhënia e Hapësirës

Kultivimi i lidhjeve dhe besimit kërkon jo vetëm krijimin e hapësirave, por edhe bërjen, mbajtjen dhe dhënien e qëllimtë tyre. Këto janë veprime të ndërlidhura—bërja e hapësirës, mbajtja e hapësirës dhe dhënia e hapësirës—janë fundamentale në qasjen tonë. Kjo kornizë na ndihmon të nxisim gjithëpërfshirje, të inkurajojmë dialog dhe të sigurohemi që të gjithë e kanë mundësinë të kontribuojnë në mënyrë kuptimplotë. Duke i përkufizuar këto veprime, krijojmë një themel për angazhim më të thellë dhe rritje kolektive.
Bërja e hapësirës përfshin krijimin e mundësive për përvoja dhe mënyra të reja të të menduarit, duke dizajnuar një ambient ku kreativiteti mund të shpaloset lirshëm. Kur e hapëm Galerinë 17, kishim për qëllim të ofronim një platformë për eksperimentim artistik dhe angazhim shoqëror. Megjithatë, pa fondet e nevojshme për të renovuar hapësirën, ky vizion dukej i paarritshëm. Jetësimi i vizionit u bë i mundur vetëm falë një fushate për ngritje fondesh—të mbështetur nga artistë/e, kuratorë/e, aktivistë/e dhe qytetarë, që besuan në fuqinë e artit dhe dialogut për të sjellur ndryshim shoqëror. Energjia dhe përkushtimi i tyre e shndërroi Galerinë 17 në një hapësirë për biseda që pasqyronin kompleksitetet e ambientit tonë të përbashkët shoqëror.
Pas kësaj, krijuam Rezidenca 17, një hapësirë për praktikë, hulumtim, bashkëpunim dhe ekspozim artistik, në Prishtinë, të strehuar në shtëpinë e Hivzi Sulejmanit—një ndërtesë publike e bashkëmenaxhuar me Komunën e Prishtinës—që ofron studio dhe hapësira të përbashkëta, të dizajnuara për angazhim ndërdisiplinar dhe të renovuar me mbështetje të drejtpërdrejtë nga komuniteti lokal.
Mbajtja e hapësirës është hap tjetër jetik në këtë proces. Kur një hapësirë bëhet, ajo duhet të mbahet. Kjo do të thotë të dëgjosh në mënyrë aktive, të jesh i/e pranishëm/me dhe të sigurohesh që të gjithë pjesëmarrësit/et të ndihen të dëgjuar/a, të mbështetur/a dhe të respektuar/a. Kërkon një përkushtim të thellë për të nxitur një atmosferë të besimit, sigurisë dhe hapjes. Në ekspozitën tonë “Queer Ecology”, mbajtja e hapësirës nënkuptoi krijimin e një ambienti ku artistët/et mund të punonin, eksperimentonin dhe ndërvepronin me publikun pa gjykim apo ndalesa. Dizajnuam hapësirën ashtu që mund të ishte aq e hapur, sa edhe intime, aq personale, sa edhe publike. Shërbeu si një hapësirë private e punës për artistët/et, duke u ofruar atyre lirinë që të zhvillojnë idetë, të eksplorojnë materialet dhe të angazhohen në reflektim kritik. Në të njëjtën kohë, hapësira mbeti e hapur për publikun në momente kyçe—përmes vizitave të organizuara dhe sesioneve ndërvepruese—duke u mundësuar audiencave të shohin dhe marrin pjesë në procesin kreativ.
Ky transformim i hapësirës inkurajoi një shkëmbim dinamik midis artistëve/eve, teoricienëve/eve, ekologjistëve/eve dhe anëtarëve të komunitetit, duke lidhur praktikën artistike me diskursin mjedisor dhe shoqëror. Duke kaluar prej formave personale dhe publike dhe anasjelltas, galeria u shndërrua në më shumë sesa vetëm një hapësirë ekspozuese; u bë një studio pune, një mjedis mësimi dhe një vend për angazhim kolektiv, ku bërja e artit u bë një akt i kërkimit të përbashkët,
Dhënia e hapësirës ka të bëjë me shkuarjen një hap mbrapa, për të lejuar të tjerët të marrin hapësirën tërësisht, me zërat, rrëfimet dhe kreativitetin e tyre. Është një akt i hapjes së derës dhe lejimit të të tjerëve që të hynë brenda, duke krijuar një ambient ku të gjithë ndihen të fuqizuar për të kontribuuar. Në Shtatëmbëdhjetë, një organizatë kulturore e bazuar në Prishtinë, dhënia e hapësirës do të thotë ofrimi i hapësirave dhe burimeve tona për përdorim afatgjatë dhe afatshkurtër. Qoftë nëse kemi të bëjmë me një ngjarje të vetme—një performancë, një bisedë publike ose një mbledhi—apo për angazhime më të gjata si për shembull: rezidenca artistike apo studio bashkëpunuese pune, ne ia hapim dyert kujtdo që ka diçka për të treguar. Në këtë mënyrë, jo vetëm që e ofrojmë hapësirën për krijim, por edhe për formim dhe rritje të lidhjeve.
Në Rezidenca 17, filozofia merr formë përmes ofrimeve fleksibile: artistët/et, aktivistët/et dhe anëtarët e komunitetit mund ta shfrytëzojnë hapësirën për nevoja afatshkurtra siç janë mbajtja e një ligjërate apo ekspozite, por ata po ashtu mund të marrin pjesë në rezidencat afatgjata, ku kanë mundësinë të angazhohen më thellësisht me punën e tyre dhe me njëri-tjetrin. Ngjashëm, në Galeria 17, hapësira u ofron artistëve dhe kuratorëve lirinë për të krijuar, transformuar dhe përdorur hapësirën sipas vizioneve të tyre artistike dhe kuratoriale. Ky fleksibilitet, jo vetëm që e përmirëson procesin kreativ, por edhe e përfshin audiencën në një përvojë të përbashkët të komunikimit dhe rritjes.
Kështu, përmes bërjes së hapësirës, mbajtjes së hapësirës dhe dhënies së hapësirës, ne krijojmë ambiente, që janë fizikisht të sigurta dhe emocionalisht e intelektualisht pasuruese. Kjo qasje ndaj hapësirës shërben si themel për ndërtimin e besimit dhe lidhjeve të qëndrueshme midis artistëve/eve, hulumtuesve/eve, aktivistëve/eve dhe anëtarëve të komunitetit, të cilët angazhohen me punën tonë. Komuniteti ynë përfshin njerëz kreativë nga disiplinat e ndryshme, teoricienë/e, që eksplorojnë idetë e reja dhe qytetarët e investuar në ndryshim shoqëror dhe mjedisor—të gjithë duke u bërë bashkë për të nxitur dialog, bashkëpunim dhe mendim kritik.