Kundër diskriminimit të bazuar në aftësi të kufizuar (Anti-aftësizmi)

Anti-aftësizmi i referohet kundërshtimit aktiv të aftësizmit (diskriminimit për shkak të aftësisë së kufizuar) dhe praktikave, qëndrimeve dhe strukturave që mirëmbajnë diskriminimin kundër personave me aftësi të kufizuara. Përfshin përkushtimin për të njohur dhe adresuar pengesat sistemike me të cilat përballen ata, avokimin për të drejtat e tyre, si dhe promovimin e gjithëpërfshirjes dhe barazisë. Anti-aftësizmi kërkon të çrrënjosë sistemet shoqërore, kulturore dhe institucionale, që privilegjojnë personat që nuk kanë ndonjë aftësi të kufizuar, teksa margjinalizojnë personat me aftësi të kufizuara.
Anti-aftësizmi po ashtu është në një linjë me teorinë crip, një kornizë kritike, që sfidon supozimet normative rreth aftësisë së kufizuar dhe trupit. Kritikon pritshmëritë shoqërore të “normalitetit” dhe feston aftësinë e kufizuar si hapësirë të rëndësisë kulturore, politike dhe personale.¹ Duke përqafuar teorinë crip, anti-aftësizmi kalon përtej thjesht akomodimit të aftësive të kufizuara dhe sfidon dhe ristrukturon sistemet dhe ideologjive, që përforcojnë normat e aftësizmit. Teoria crip avokon për një riimagjinim të vlerave shoqërore, duke vënë theksin te ndërvarshmëria, qasshmëria dhe festimi i trupave të ndryshëm.
La Escocesa, në bashkëpunim me artistët/et, Hac Vinent dhe Tatiana Antoni Conesa, ka zhvilluar një seri të masave konkrete të qasshmërisë dhe ka realizuar trajnime për personelin e vet, për t’u siguruar që këto masa të zbatohen. Ky proces nënkuptoi ndryshim të rëndësishëm për institucionin dhe përtej, duke nxitur një ndryshim në mentalitet rreth pjesëmarrjes dhe diversitetit në art. Këto masa theksojnë rëndësinë e ngadalësimit, përdorimit të gjuhës së qasshme dhe përfshirjes së metodave të pjesëmarrjes fleksibile për aktivitetet publike. Po ashtu theksojnë nevojën për planifikim proaktiv, si për shembull, duke ofruar forma të kërkesës së qasshmërisë, duke siguruar që komunikimi të jetë i qartë dhe duke nxitur praktika të kujdesit kolektiv.
Nëse pjesëmarrja në hapësira kulturore është momentalisht privilegj, atëherë duhet të pyesim: Kush po përjashtohet dhe pse? Qasshmëria duket të jetë e mirëqenë, jo një kërkesë e veçantë. Qasshmëria e njëmendtë nuk ka të bëjë vetëm me rampa dhe interpretë të gjuhës. Të sigurosh hapësira të qasshme kërkon jo vetëm rimendimin e përmbajtjes, programimit dhe qasjeve institucionale ndaj përfshirjes, por edhe zbatimin e tyre në praktikë.
Disa konsiderata për t’i bërë aktivitetet më të qasshme:²
- Përdorni gjuhë të qartë dhe të thjeshtë në të gjitha materialet e komunikimit dhe përgjatë aktivitetit, duke iu shmangur zhargonit akademik, për të siguruar gjithëpërfshirje ndër realitete të ndryshme shoqërore.
- Shmangiuni supozimeve. Shumë masa të thjeshta të qasshmërisë shpërfillen sepse ne supozojmë se të gjithë trupat dhe nevojat i përshtaten një standardi të vetëm.
- Ofroni një formë ku pjesëmarrësit/et mund të tregojnë nevojat e tyre specifike të qasshmërisë para një vizite apo aktiviteti, ashtu që të mundësohen adaptimet e nevojshme. Nëse regjistrimi paraprak për një ngjarje nuk kërkohet, atëherë një email adresë duhet të ofrohet në materialet e komunikimit të ngjarjes, ashtu që personat të mund të kontaktojnë ekipin.
- Prezantojeni aktivitetin dhe shpjegojeni strukturën e tij, ashtu që pjesëmarrësit/et të mund të vendosin kufij personalë dhe të vendosin nivelin e përfshirjes së tyre. Një takim para ngjarjes mund të ofrohet për personat, të cilët kanë nevojë të familjarizohen me hapësirën ose t’i diskutojnë dinamikat vijuese.
- Dizajnoni aktivitetet me nivele fleksibile të pjesëmarrjes, duke ua mundësuar pjesëmarrësve/eve të përfshihen në mënyra të ndryshme. Qëndroni të hapur ndaj ndryshimit të strukturës, për të siguruar pjesëmarrje.
- Ofroni mundësi për t’iu adresuar grupit përpara se të fillojë ngjarja në rast se ndokush dëshiron të shpjegojë situatën e vet. Mbështetja duhet të ofrohet nëse ka nevojë.
- Ndihmoni në krijimin e një dinamike grupore të bazuar në respekt dhe përfshirje, duke u siguruar që t’i nderoni të gjitha kërkesat. Ofroni mbështetje shtesë, nëse ka nevojë, me anëtarë të caktuar të ekipit, përgjegjës enkas për këtë aspekt.
- Shmangni infantilizimin, mbrojtjen e tepruar dhe mëshirën. Trajtoni të rriturit/at si të rritur/a. Për shembull, kur ndërveproni me një person të shurdhër ose dikë që përcillet nga një asistent/e personal/e, drejtojuni personit drejtpërdrejt, jo interpretit/et apo asistentit/es.
- Gjithmonë pyesni nëse nuk jeni të sigurt se si të ofroni mbështetje apo t’i akomodoni disa nevoja të caktuara.
- Qartësisht komunikoni masat e disponueshme të qasshmërisë në të gjitha materialet promovuese.
- Derisa shumica e aktiviteteve nuk janë në vetvete të qasshme, personat me diversitet funksional mund të mos supozojnë se do të ketë gjithëpërfshirje nëse kjo gjë nuk përmendet qartazi.
- Përshkruani fotografitë që i postoni në rrjetet sociale. Kjo mund të bëhet duke përdorur opsionin “alt text” ose duke përfshirë një përshkrim të shkruar në postim.
- Ofroni titra dhe/ose përshkrime me zë për videot e postuara online apo të shfaqura gjatë aktiviteteve.
- Përfshini paralajmërime rreth përmbajtjes për tema potencialisht shqetësuese, duke ua mundësuar personave që të bëjnë zgjedhje të informuara rreth ekspozimit të tyre.
Disa shembuj të masave të qasshmërisë për institucione dhe aktivitete:
- Rampat
- Ashensorët e mëdhenj (nëse ndërtesa është shumë-katëshe)
- Korridore të gjera, lehtësisht të shfrytëzueshme
- Banjo të qasshme
- Ulëse me mbështetëse për shpinë
- Interpretim të gjuhës së shenjave dhe hapësirë për lexim të buzëve (ulëse të rezervuara afër folësve/eve)
- Titra apo përshkrim të drejtpërdrejtë të videove
- Përshkrim me zë të përmbajtjes pamore
- Cilësi të mirë të zërimit në hapësirë
- Ndriçim të përshtatshëm
- Artikulim të qartë dhe me zë të lartë (pa bërtitur apo ekzagjëruar shqiptimin)
- Ofrim paraprak të teksteve për biseda apo lexime
- Marrje e strukturuar e radhës për të folur, me një moderator/e
- Përshtatja e materialeve në formate digjitale dhe lehtësisht të lexueshme
- Tekst të projektuar, me kontrast të lartë, shkronja të mëdha dhe ndarje midis paragrafëve
- Tregues taktilë ose me ngjyra të dallueshme
- Hapësira të qeta për pushim
- Shpjegim i qartë i kohëzgjatjes së ngjarjes, dinamikave dhe numrit të pritur të pjesëmarrësve/eve
- Mundësi për pjesëmarrje virtuale
—
¹ është po ashtu relevante të theksohet ndërthurja midis aftësisë së kufizuar dhe të qenit queer, duke vënë në pah se si të dyja sfidojnë strukturat hegjemonike të pushtetit dhe normativitetit (Shih Robert McRuer, Crip Theory: Cultural Signs of Queerness and Disability). Alison Kafer zgjeron këtë në librin e saj Feminist, Queer, Crip duke propozuar një model politik dhe relacional të aftësisë së kufizuar që i jep përparësi ndërtimit të koalicioneve dhe drejtësisë shoqërore.
² Kjo është pjesë nga praktikat dhe puna e brendshme, të zbatuara në La Escocesa. Për më shumë informata, vizitoni ueb-faqen tonë: https://laescocesa.org/en/La%20Escocesa/accessibility.