← Fjalorth i termave të përbashkimit

Mikpritja

Mikpritja e imagjinon dhe e bën të prekshëm një imazh të mundur të kësaj bote, gjë që për shumë njerëz po bëhet gjithnjë e më e rrallë dhe përvojat e të cilëve e përcaktojnë se çka marrim me vete dhe çka bartim te të tjerët. Mikpritja është një burim që pasurohet sa më shumë që e përdorim. Dhe, natyrisht, nuk ka të bëjë vetëm me mysafirin. Ata që mirëpresin mysafirët dhe ndajnë atë që është e tyre afirmojnë dhe fuqizojnë vetë përkatësinë dhe identitetin e vet. Përvoja e përbashkët e shkëmbimit mund të jetë rreth gjithçkaje që ka vlerë për ne, qofshin ato traditat, zakonet dhe pasionet, idetë apo planet, por edhe dështimet, frikat dhe përjetimet. 

Në vitin 2020, OFF-Biennale u ftua nga kuratorët e documenta pesëmbëdhjetë, ruangrupa, për të marrë pjesë në komunitetin lumbung, që po formësonte programin e documenta. Lumbung, emri i të cilit vjen prej fjalës në indonezisht për hambar komunitar të orizit, ishte bërë metafora qendrore dhe modus operandi e këtij edicioni të documenta: një hapësirë e mikpritjes. ruangrupa ftoi komunitetet nga e gjithë bota që të bashkëpunojnë—duke kundërshtuar kësisoji hegjemoninë perëndimore—dhe kërkoi nga ta që t’i tregojnë agjendat e veta, përkushtimet dhe përvojat se si ata funksionojnë me njëri-tjetrin dhe me audiencën e documenta, si dhe që të krijojnë një mënyrë radikalisht ndryshe ekonomike dhe bashkëpunuese të funksionimit për edicionin e pesëmbëdhjetë të kësaj ngjarjeje prestigjioze në botën perëndimore të artit. Miqësia u bë baza për bashkëpunim dhe ishte baza e këtyre planifikimeve ekonomike që ridizajnuan kornizën institucionale të documenta. Ftesat sillnin më shumë ftesa: Komunitetet e përfshira nga ruangrupa patën mundësinë që të ftojnë të tjerët, duke shpërbërë kështu themelet e funksionimit të centralizuar. 

Në këtë mënyrë, OFF-Biennale Budapest pati mundësinë që të jetë nikoqire e një varg artistësh dhe nismash artistike, duke rishpërndarë dhe shumësuar burimet që u ofrohen atyre. Sfida e parë në këtë mënyrë radikalisht të re të të funksionuarit, që e sfidoi konceptin e mikpritjes, ishte pandemia Covid-19, që ndaloi takimet fizike dhe mundësinë që të njohim njëri-tjetrin në hapësira të përbashkëta, si dhe inicoi forma më të kufizuara të mikpritjes. Në biseda të Zoom, nganjëherë të ndjekura nga qindra njerëz, ne krijuam miqësi në mënyra që s’i kishim provuar më parë: takoheshim online, luanim lojëra, muzikë dhe organizonim ndeja për ta lehtësuar hidhërimin, e edhe frikën, teksa provonim të formësonim kornizën për edicionin e radhës documenta dhe themelet e një komuniteti që mund të rrinte bashkë edhe më vonë. 

Ishte e vërejtshme që, derisa për disa, mikriptja është një gjest më i rrënjosur kulturalisht dhe që karakterizon jetën e përditshme, për të tjerët është proces i të mësuarit, me të cilin angazhohen në mënyra të ndryshme.

Ky proces i të mësuarit kërkon më pak edukim formal dhe më shumë përvojë. Ata që priten—dhe kësisoji përjetojnë forma të ndryshme të të qenit të mirëpritur dhe pranuar—bëhen më të hapur kur është fjala te bartja tutje e këtyre përvojave. Kur hyjmë në ambientin e dikujt—”shtëpinë” e tyre—ne mirëpritemi jo vetëm prej njerëzve, po prej gjithë mjedisit. Përmes njohjes dhe të të kuptuarit të dallimeve kulturore, përvoja shumë-shtresore e të qenit në atë ambient na ndihmon t’i kuptojmë pikat e lidhjes. Kishim mundësi të kufizuara për ta bërë këtë, pasi përvoja shqisore, spontaniteti dhe gjestet jo-verbale na vinin përmes një mediumi pengues (distanca, meditimi, koha dhe pasiguria e shkaktuar nga Covid) duke e zbehur fuqinë e mesazheve. 

Udhëtuam brenda kokave tona, përballë ekraneve dhe pas shumë muajsh, me heqjen e ngadaltë të masave kufizuese, kur mund të takoheshim në grupe të vogla për herë të parë në Kassel, i kërkonim fytyrat e njohura mbrapa maskave. Edhe me fundin e pandemisë, kishte mjaftueshëm sfida; mikpritja u përball me muret e larta të mbajtjes së status quo të ekspozitave të mëdha të artit. documenta nuk mund ta kapërcente hijen e vet dhe shumë prej atyre që erdhën në vizitë, u kthyen të hidhëruar, edhe më herët se ç’e kishin planifikuar.

Megjithatë, kjo gjë po ashtu na mundësoi që t’i përjetojmë gëzimet e shumta të të qenit mysafirë dhe nikoqirë, gjë që hapi udhë për pikëpamje të reja, përtej situatave ku ishim. Solidariteti midis komuniteteve ishte faktori kryesor për t’u siguruar që ata nuk ktheheshin në shtëpi kokëulur, si viktima të sulmeve që kundërshtuan themelet e këtij edicioni të documenta. Si reagim ndaj vështirësive, ishte e rëndësishme që ata të kishin edhe përvoja pozitive, përkushtime të forta, përgjegjësi dhe përkrahje. Për OFF-Biennale, kjo vizitë solli miq të rinj, aleatë, dije dhe një numër temash, komunitetesh, krijuesish, si dhe mblodhëm përshtypjet e të tjerëve, që thonin se mënyra e punës siç e kemi menduar dhe jetuar ne, është në fakt fundamentale për shumë partnerë globalë, pra, ne nuk po i jetojmë disa ëndrra naive, por një realitet tjetër të përbashkët.

Ne ishim mysafirë dhe falë bujarisë së nikoqirëve, ne ishim nikoqirë vetë—në dhomat e mëdha të Fridericianum, të sjella në jetë nga shkolla lumbung dhe në shtëpinë-anije Ahoi! (një tjetër hapësirë e documenta pesëmbëdhjetë) në brigjet e Fulda, ku përbrenda një projekti që tematizon këndet e lojërave, ne ftuam këdo që e konsideron lojën si mënyrë të jetesës.

Ura që e ndërtuam me Recetas Urbanas (the Allesbrücke, Ura e gjithçkafit), e cila të çonte përmes ndërtesës së shtëpisë-anije drejt sferës së fantazisë, ishte një tribut ndaj mikpritjes së nxënësve të një shkolle lokale. Ne i ftuam ata dhe ata na mirëpritën duke na lënë jo vetëm brenda shkollës së tyre, por edhe brenda vizioneve e tyre, problemeve që i kishin përjetuar dhe ideve e planeve të tyre. E gjithë kjo u ngrit në qiell prej Urës së gjithçkafit, jeta e së cilës vazhdoi në oborrin e shkollës edhe pas përfundimit të documenta.

Bujaria dhe besimi i nikoqirëve hapi mundësinë që ne t’i ftonim mysafirët tanë. Dhe këtu, rrjeta e ndërlikuar e lidhjes nikoqir-mysafir u shpërfaq: Si ruangrupa, nikoqiri ynë tashmë ishte mysafir në Kassel, ne ishim mysafirët e tyre, teksa, në të njëjtën kohë, ne ishim po ashtu mysafirë të qytetit dhe të komuniteteve lokale. Pas një kohe, bëhet e vështirë të kuptohet se kush ndan çfarë burimesh, cilat prej tyre mund t’i konsiderojnë të vetat dhe çfarë privilegjesh ata njohin dhe refuzojnë. Refuzimi këtu nuk i bie humbje, por bartje, pra pasurim. Po ashtu, deri në një masë, i bie heqje dorë nga kontrolli në proces, pasi ky lloj i shoqërisë së ndërtuar në besim, ky eskalim i mikpritjes, nuk i lë vend kontrollit të gjithëmbarshëm të vështrimit qendror. Me këtë liri, neve jo vetëm që na u dhanë mundësitë, por edhe një ndjesi e përgjegjësisë për mysafirët tanë, të cilët, megjithatë, nuk duhet të bëhen mjete të kontrollit dhe censurës, mjete të zbehjes së autonomisë së mysafirit.

U kthyem nga ai udhëtim me shumë bagazh—shumë përvoja, mësime, por edhe dyshime—dhe mikpritja që e përjetuam prej anëtarëve të lumbung, artistëve dhe fëmijëve, mikpritje të cilën jemi të përkushtuar ta ndajmë me të tjerët, është me gjasë, gjëja më e rëndësishme që e kemi marrë.

Newsletter

Logo EU