← Fjalorth i termave të përbashkimit

Parafytyrimi

Parafytyrimi është një praktikë shoqërore, në të cilën organizata të ndryshme të shoqërisë civile dhe lëvizjet shoqërore, jo vetëm që kërkojnë ndryshim në sistemin ekzistues institucional, por po ashtu e jetojnë botën e imagjinuar të së ardhmes, në të tashmen. Ato nuk imagjinojnë një utopi të largët, por i gërshetojnë përbrenda jetës së përditshme parimet dhe strukturat përbrenda së cilave duan të jetojnë. Bota e dëshiruar nuk është një qëllim për t’u arritur, por një realitet në bërje e sipër.

Imagjinoni një kopsht që po e ndërtoni për të ardhmen—një ku bimët u përshtaten ndryshimeve mjedisore dhe janë tolerante ndaj kushteve ekstreme të jetës, prandaj mbijetojnë. Për të krijuar një kopsht, na duhet të marrim një pjesë të natyrës dhe ta ndryshojmë atë sipas imagjinatës sonë. Duke e kufizuar atë përreth, në krijojmë jo vetëm një kufi fizik, por edhe simbolik midis natyrës dhe mjedisit të bërë nga njeriu. E ndërtojmë një botë tonën brenda gardhit, e lidhur me botën jashtë përmes një mijë fijeve të padukshme: komunikimi midis mikroorganizmave në dhé dhe rrënjët e bimëve na e kujtojnë që lidhja midis kopshtit dhe natyrës—midis botës së jashtme dhe botës së brendshme—nuk ndalon për shkak të kufijve. Kopshti është (si) një kënd lojërash—një vend ku një botë imagjinare dhe realiteti takohen. Që të dyja janë njëfarë modeli i botës, rregullat e së cilës formësohen sipas asaj që e mendojmë për botën dhe veten tonë në të ose sipas mënyrës se si e imagjinojmë botën. Është një hapësirë e fantazisë ku gjithçka është aq reale sa edhe joreale, por prapëseprapë pak ndryshe. A mund ta shohim kopshtin si model i funksionimit organizativ parafytyrues, model që është i ndjeshëm ndaj ndryshimeve shoqërore dhe mjedisore përreth, ku bota e gjallë, e mbështetur në ligjet e veta të brendshme, zbaton praktika të qëndrueshmërisë, bashkëpunimit dhe solidaritetit? 

Që nga themelimi, në vitin 2014, OFF-Biennale Budapest u ka dhënë rëndësi temave si liria, loja, ndërtimi i komunitetit, demokracia, solidariteti dhe pavarësia e punës kreative. Duke përdorur përfytyrimin si një strategji të funksionimit, punon për të zhvilluar një model ku i sfidon normat ekzistuese sociale, të rrënjosura në mekanizma që kanë tendencë të bëjnë kompromise, si dhe planifikon për të ardhmen, gjë që e bën duke ndërtuar prej së tashmes, pavarësisht ambientit të pasigurt institucional. Kërkon praktika se si të imagjinohen gjërat ndryshe. 

OFF-Playground (OFF-Këndi i lojërave), ndërtuar si pjesë e projektit “WHATIFS AND WHYNOTS: OFF-Playground” (ÇKANËSET DHE PSEJOTË: OFF-Këndi i lojërave) në documenta pesëmbëdhjetë në vitin 2022, derisa krijonte kushtet për një aventurë të përbashkët, ishte po ashtu një eksperiment serioz. Eksperimentoi me politika përfytyruese duke besuar se, përbrenda gardhit, një kënd lojërash me hapësira, praktika dhe mendime të propozuara nga artistët—një rrjet i ndërveprimeve—mund të krijohet jo duke e kapërcyer realitetin, por në fakt, me qëllimin që të krijohet një realitet, ku ëndrra kthehet në përjetim. Duke krijuar një hapësirë “imagjinare” dhe duke bërë atë që ne bëjmë në të, ne u ofrojmë të tjerëve mundësinë që ose ta zgjedhin vendin e tyre në atë hapësirë ose të krijojnë ishuj të rinj, hapësira të veta. Shpresojmë që këta ishuj, një ditë do të jenë të lidhur. Rregullat e lojës krijojnë një terren të përbashkët dhe shpresojmë që njerëzit që mendojnë ngjashëm, do të na bashkohen. OFF “luan” institucionalisht përmes projekteve dhe vizioneve të ndryshme kuratoriale dhe artistike, nëpërmjet bashkëpunimeve shoqërore. Ne sillemi sikur të ishim një institucion artistik i madh, ndërkombëtar, me një bazë solide financiare dhe burimore, si dhe me një ambient mbështetës. Ne “performojmë” dhe “parafytyrojmë” një institucion të pavarur, kapitali më i fortë i së cilit është vizioni i përbashkët. 

Politikat parafytyruese, si në rastin e këndit të lojërave dhe kopshtit, përdoren për ta mbushur hendekun midis “imagjinatës dhe jetësimit”, që i bie të përpiqemi të ndërtojmë një ndryshim në të ardhmen e imagjinuar, në një mënyrë të vogël, këtu dhe tani. Megjithatë, kjo qasje, nganjëherë, pashmangshëm bëhet e lodhshme dhe motori ngadalësohet. Kornizat e vizionit zbehen dhe imagjinata dërrmohet. 

Për t’i mbushur bateritë, është qenësore që idetë individuale—ishujt e vegjël—jo vetëm të shkojnë drejt diçkaje, por të mbesin të bashkuar. Ashtu që mbjellja e luleve në kopsht nuk vërehet e ndihet vetëm nga një rreth i ngushtë, por edhe nga të tjerët. Ashtu që njerëzit të fillojnë të dalin me kureshtje (ose me dyshim) nga bota e jashtme dhe hynë në këtë botë. Të paktën, për këtë nevojitet që sa më shumë prej nesh të imagjinojmë një kopsht dhe ta shohim atë si një tablo strategjike të përshtatur ndaj botës së përditshme, e cila, edhe nëse ndërmerr hapa të vegjël, mund të nisë alternativa të prekshme ndaj sistemit të tanishëm.

Newsletter

Logo EU