Kundër përqendrimit vetëm te të rriturit

Fëmijët janë brez tjetër; të jesh me ta do të thotë të jesh i/e pranishëm/me teksa ky brez lind. Askush nuk e ka një recetë se si t’i përgatisë fëmijët për jetë në një botë që po del prej kontrollit—si t’i përgatisë fëmijët për një të ardhme tërësisht të mjegullt. Mbase sot, nuk kemi tjetër zgjidhje pos t’i dëgjojmë fëmijët dhe të ndikohemi prej tyre. Kjo ide nuk është e re; në fakt, ishte qendrore në dy eksperimente pedagogjike dhe institucionale të shekullit XX në rajonin tonë—shtëpia e fëmijëve e Janusz Korczak në Varshavë dhe Republika Gaudipolis për jetimët e luftës në Budapest. Të dyja këto nisma po ashtu synuan emancipimin e fëmijëve përmes botimit të gazetave të fëmijëve, të cilat i organizuan dhe në të cilat kontribuuan vetë fëmijët. Këto botime ishin një mënyrë e fëmijëve për t’ua komunikuar vizionet, idetë dhe qëndrimet e tyre fëmijëve tjerë, si dhe të të rriturve/ave. Ofrimi i hapësirës për fëmijët që të shprehen vetë, në mënyrën që ata zgjodhën ishte emancipuese, edhe për fëmijët, e edhe për të rriturit/at e përfshirë në këto nisma. Këto ishin përpjekje për ta sfiduar dinamikën tradicionale midis të rriturve/ave dhe fëmijëve. Biseda në vijim e ndjek të njëjtën qasje. Në të, vajza ime dhjetë-vjeçare intervistoi miqtë e saj, duke treguar se si zërat e fëmijëve ende mund të ofrojnë dije për botën e tyre sot.
**
N (mosha 10): Çka mendon se do të ishte çlirim për fëmijët?
Ni (mosha 7): Së pari, nuk do të kishte shkollë. Së dyti, nuk do të na duhej të merrnim urdhra nga prindërit tanë. Së treti, gjithçka do të ishte falas—por veç për fëmijët, jo për të rriturit. Lodrat do të ishin falas, por jo për të rriturit. Nuk do të kishte detyra të shtëpisë.
N: Cila lëndë shkollore të pëlqen më së paku?
Ni: Gjuha çeke.
N: Çka do të bëje në vend të shkollës?
Ni: Pushime. Dhe pas pushimeve, më shumë pushime.
N: Dhe çka do të bëje gjatë pushimeve?
Ni: Do të doja të mërzitesha në pushime, do të rrija shtrirë diku. Dhe nëse nuk do të ishte e mundur dhe nëse do duhej pa çare të shkonim në shkollë, të paktën do të duhej të mund t’i zgjedhim lëndët dhe nuk do të kishte detyra të shtëpisë. Mund të ndjeknim pak gjuhë çeke, për shembull. Dhe do të mund të kishte pushime gjatë orës mësimore.
N: E për lodrat—çka do të bëje nëse edhe prindërit tu do të donin gjëra falas?
Ni: Unë do të kisha gjithçka falas dhe do të mund t’ua jepja atyre.
**
N: J, çka do të thotë t’i lirosh fëmijët për ty?
J (mosha 7): Çlirim për mua do të ishte nëse s’do të kishim shkollë e as detyra të shtëpisë. Do të kishim pushime gjatë tërë vitit, do t’i kishim lodrat që i duam, dhomat që i duam—gjithçka falas. Ose shkolla do të mbahej vetëm të hënave, mërkureve dhe të premteve. Dhe pushimi do të ishte pak më i gjatë, ndoshta katër muaj—qershor, korrik, gusht, shtator.
N: E çka do të bëje në pushime?
J: Do të shkoja te shoqet/shokët, në udhëtime, nëpër kështjella, muze, teatër, do t’i vizitoja gjyshet dhe do ta festoja ditëlindjen.
N: Dhe çfarë lodre do të doje nëse do të kishe mundësi të zgjedhësh?
J: Një papagall kukull. E kam pasur një zog dhe iu thye koka.
N: E cila është lënda që të pëlqen më së paku?
J: Matematika.
**
N: L, si mendon se do të dukej çlirimi i fëmijëve?
L (mosha 8): Të gjithë do të merrnin fëmijë nga jetimorja në shtëpi dhe ata fëmijë do të kishin mjaftueshëm para dhe ushqim. Do të ishin me familje sërish dhe do të kishin gjëra që i bëjnë të lumtur. Fëmijët do të mund të mësonin çkado që duan. Mësuesit/et do t’i pyesnin fëmijët, “Fëmijë, çka dëshironi të mësoni sot?” Dhe fëmijët do të vendosnin vetë.
N: Pra, ti do të doje të shkosh në shkollë, por do të doje t’i zgjedhësh vetë lëndët. Cila është lënda më pak e preferuar?
L: Me siguri, gjuha çeke.
N: A nënkupton çlirimi i fëmijëve ndonjë gjë tjetër për ty?
L: Të varfërit do të kishin para. Gjërat që janë tepër të shtrenjta do të ndaloheshin sepse ka fëmijë që nuk mund t’i kenë ato gjëra dhe kjo i pikëllon ata shumë. Për shembull, nëse do të shkosh në një kënd lojërash dhe të flesh atje do të të kushtonte 100,000 dhe disa fëmijë të varfër duan të shkojnë? Oh, jo! Nuk do të doja që ne të ishim xhelozë. Po ashtu, do të doja që të rriturit të kenë respekt për fëmijët—që të mos jenë të pasjellshëm me ta. Ata duhet të jenë shumë të mirë me fëmijët. Do të doja që të mos kishte hajna.
N: Si do të mund të të trajtonin më mirë prindërit tu?
L: Më pëlqen se si më trajtojnë tani. Janë të mirë me mua, por janë edhe rigorozë. Fëmijët nuk duhet të lazdrohen; edhe ata duhet t’i lajnë enët nganjëherë. Nuk duhet që vetëm prindërit t’i lajnë enët.
**
N: V, çka i bjen për ty çlirimi i fëmijëve?
V (mosha 8): Jashtë shkollës, jashtë gjithçkaje, i urrej të gjitha. Nuk më pëlqen lënda e gjuhës çeke, nuk më pëlqen madje as matematika. Më pëlqejnë gjimnastika dhe pushimet—kaq. Asgjë tjetër në shkollë nuk më pëlqen. Do të doja të udhëtoja në vend se të shkoja në shkollë.
**
N: T, çka nënkupton për ty çlirimi i fëmijëve?
T (mosha 4): Nuk do të shkoja në çerdhe. Me gjasë, kjo është gjëja më e keqe në botë.
N: Nuk të pëlqen çerdhja?
T: Jo.
N: Çka do të bëje në vend të çerdhes?
T: Çerdhja duhet të shkatërrohet nga një top gjigant betoni.
N: E çka do të bëje ti nëse nuk do të shkoje në çerdhe?
T: Do ta bleja një monster-dragua në telefonin e babit tim dhe do të luaja.
N: Do të luaje lojëra me monster tërë ditën?
T: Nuk e di. M’u shpenzuan idetë.
**
K (mosha 14): Do të doja që të rriturit të fillojnë t’u besojnë fëmijëve. Ata duhet të mos thonë më se janë vetëm fëmijë të vegjël me tepër shumë imagjinatë.
**
Ni: N, e për ty?
N: Do t’i doja dy vite pushime. Dhe do të doja që të kisha gjithçka falas. Ashtu që të mund të blenim çkado që duam. Do të doja të mund t’i ngjyrosja muret e dhomës sime—shumë do të doja ta ngjyrosja dhomën.
T (mosha 43): E çka do të ndodhte pas dy vitesh pushim?
N: Pastaj, do të vinte një pushim tjetër.
T: Pra, do të ishte një pushim pafund?
N: Po, do të ishte shumë mirë.
T: E si do të dukej dita jote?
N: Do të zgjohesha, do t’i pastroja dhëmbët, haja mëngjes, do të vishesha dhe pastaj ndoshta do të dilja me shoqëri. Do të shkoja në parkun Gutova, ku do të luanim. Pastaj do të ktheheshim në shtëpi dhe do të hanim drekë….
T: E kush do të gatuante për ty?
N: Nëna dhe babaii. Pastaj do të mund të dilnim për çaj me flluska me prindërit dhe pastaj do të shkonim për një shëtitje.
T: Pra, prindërit nuk do të punonin?
N: Jo, nuk do të punonin sepse paratë do të binin nga qielli.
T: Mirë. E çka do të bënin ata?
N: Do të kalonin më shumë kohë me ne fëmijët. Do të shkonim në disko në mbrëmje, të vallëzojmë dhe pastaj do të ktheheshim për të fjetur. Por edhe do të mund të shkonim diku. Do të mund të udhëtonim.
T: Ku do të doje të shkosh?
N: Itali, Gjermani, Vietnam ose Japoni.
—
Intervista u botua fillimisht si pjesë e artikullit “Që të rriturit të fillojnë t’u besojnë fëmijëve. Edukimi i fëmijëve për çlirim në një botë jo të lirë.” në revistën feministe online Druhá: směna (www.druhasmena.cz). Teksti është botuar me lejen e redaksisë së revistës.