← Fjalorth i termave të përbashkimit

Puna emocionale

Në botën e artit bashkëkohor, ka një tension midis bërjes së artit dhe dhënies së kujdesit. tranzit.cz është një institucion feminist, që është i përkushtuar për t’i mbështetur individët me përgjegjësi të dhënies së kujdesit. Qëllimi është që të krijohet një ambient ku bërja e artit mbetet e mundur, pavarësisht realiteteve kërkuese të prindërimit. Ky eksplorim thellohet në dinamikat komplekse që shpalosen kur ambicia artistike përplaset me praktikalitetet e jetës familjare, duke hedhur dritë mbi barrat emocionale që shpesh i përcjellin këto përpjekje. Kjo mund të jetë e rëndë edhe për artistë/e, e edhe për institucione, duke vënë në pah nevojën urgjente për zgjidhje strukturore.

Imagjinoni që, si një institucion, po bashkëpunoni me një artiste që ka një fëmijë dy-vjeçar dhe një foshnjë. Artistja vjen për një rezidencë një-mujore; megjithatë, pasi fëmija i saj dy-vjeçar po qëndron në shtëpi me partnerin e saj, ajo e ndan rezidencën në periudha më të shkurtëra. Rezidenca e saj përbëhet nga një seri takimesh, për të cilat asaj i duhet një asistent i produksionit—dikush që i ndihmon t’i koordinojë oraret. Asaj po ashtu i duhet kujdes për foshnjën. Artistja zakonisht vjen në fundjava, por ajo shpesh e anulon udhëtimin në momentin e fundit. Ky është problem për ekipin mbështetës të produksionit, pasi ata/o nuk kanë mundësi ose nuk janë mjaftueshëm fleksibilë për t’i ndryshuar planet shpejt. Ju shpejt kërkoni dikë tjetër, por pastaj edhe kuratori/ja edhe artisti/ja shqetësohen sepse atij personi duhet treguar gjërat prej fillimit, gjë që kërkon punë shtesë. Asistenti/ja i/e produksionit është i/e frustruar sepse ai/ajo vazhdimisht përfundon duke blerë bileta treni dhe duke i anuluar ato, duke rezervuar akomodim e duke e anuluar. I tërë projekti është më kërkues sesa që dukej në fillim. Fëmijët e artistes sëmuren vazhdimisht dhe pastaj, sëmuret edhe ajo. Ajo nuk i respekton afatet kohore, është e brengosur dhe e mërzitur. Derisa projekti rritet, ajo ia delegon çfarëdo pune shtesë asistentit/es të produksionit—gjë që kapërcen kushtet me të cilat ai/ajo është pajtuar—sepse ajo nuk e ka kapacitetin vetë, por në të njëjtën kohë ajo vërtet e do projektin dhe dëshiron që ai të jetë në formën më të mirë të mundshme. Një ditë ajo vjen në Pragë me foshnjën e saj, e cila është e ftohur. Artistja është e merakosur mos ftohja nuk është thjesht një ftohje e zakontë. Ajo dëshiron të shkojë në emergjencë, por natyrisht, i duhet përcjellja e dikuj, një përkthyesi/je. Është e premte pasdite dhe ekipi i institucionit ka plane tjera për mbrëmje. Ata veç ndihen sikur po e mbështesin artisten tërësisht përtej mundësive dhe nuk duket se artistja e shpreh mirënjohjen e saj mjaftueshëm—në fund të fundit, ajo nuk ka fjetur me muaj të tërë. Edhe unë kam plane tjera, por për dallim nga kolegët e mi, edhe unë jam nënë. E di se çka do të thotë të kesh një fëmijë të sëmurë në një vend të huaj. Shkoj me të. I kalojmë disa orë në emergjencë midis fëmijëve të sëmurë, që qajnë. Mjeku/ja i/e sjellshëm/me i thotë se është vetëm një ftohje e zakontë. Është vonë dhe të dyja jemi të dërmuara, prandaj e dërgoj në shtëpi. E di se e kemi krijuar një shoqëri dhe ajo është falënderuese. Partneri im dhe fëmijët e mi nuk janë aq entuziastë.

Artistja është e suksesshme dhe ambicioze. Ky nuk është i vetmi projekt në të cilin po punon. I ka dy fëmijë të vegjël, të dy nën moshën tre-vjeçare, por ajo dëshiron të punojë ashtu siç punonte dikur ose aq shumë sa punonte dikur. Dhe pse jo? Është e drejtë e saj. 

Jam e dërmuar nga ky bashkëpunim dhe ashtu janë edhe të tjerët. Artistja, natyrisht, është krejtësisht e rraskapitur. Dhe mendoj për faktin se kujdesi për foshnja dhe fëmijë të vegjël nxjerr punë shtesë dhe puna shtesë hidhet përreth, si patate e nxehtë. Askush nuk ka kohë, as energji. Jemi institucion feminist, duam të bashkëpunojmë me prindër me fëmijë të vegjël. Ne e organizojmë kujdesin për fëmijë, marrim me qira banesa më të mëdha për rezidentët/et, i blejmë disa bileta shtesë treni. Edhe nëse grantet nuk e kanë një kategori për këtë, bëhemi kreativë—gjithmonë e gjejmë një mënyrë. Por, kur është fjala te fëmijët e sëmurë dhe projektet kërkuese dhe ambicioze, edhe ne ngecim.

Teoritë feministe të kujdesit thonë që kujdesi duhet të shpërndahet në mënyrë të barabartë në shoqëri; megjithatë, kjo nuk është mënyra se si funksionojnë gjërat, prandaj barra bie te një person ose pak persona, të cilët mund t’i kenë ose mos t’i kenë burimet e tyre—dhe nëse s’i kanë, atëherë do ta kenë tepër të vështirë. Ata nuk mund të bëjnë art ose dështojnë keq dhe vuajnë, edhe fizikisht, edhe mendërisht. 

Përvoja e artisteve dhe institucioneve, të cilët përballen me sfidat e prindërimit, vënë theksin te një hendek kritik në sistemet e mbështetjes përbrenda botës së artit. tranzit.cz përpiqet të krijojë një ambient që mundëson artin dhe kujdesin, prapëseprapë realiteti i menaxhimit të projekteve artistike midis kërkesave që lidhen me përkujdesin ndaj fëmijëve shpërfaq kufizimet e kornizave ekzistuese institucionale. Derisa të hartohen dhe zbatohen ndryshime sistemike për t’i adresuar këto pengesa, edhe artistet, edhe institucionet do të vazhdojnë të përballen me barrën e punës së panjohur, do të rrezikojnë lodhjen e tepërt dhe do të pengojnë vetë kreativitetin, të cilin ato synojnë ta ushqejnë.

Newsletter

Logo EU