Të qenit i / e kuptuar

Arti bashkëkohor—domethënë arti që pasqyron klimën aktuale kulturore, shoqërore dhe politike rreth botës dhe përfshin një varg të gjerë mediumesh—ka gjuhën dhe zhargonin e vet, si çdo fushë tjetër e aktivitetit njerëzor. Si në shumë disiplina tjera, gjuha eksperte në art ndihmon në kursimin e kohës për të gjithë palët e përfshira; gjërat nuk kanë nevojë të shpjegohen dhe kushdo që dëshiron të bëhet ekspert/e, duhet që fillimisht ta mësojë këtë gjuhë. Megjithatë, gjuha eksperte apo akademike e ka anën tjetër më pak të mirë. Nganjëherë është vetë legjitimimi i saj—një qëllim e jo një mjet.
Problemi me artin bashkëkohor është që, për të, shpesh flitet me një gjuhë eksperte, edhe kur duhet t’u flasë jo-ekspertëve/eve, gjë që ka një efekt tëhuajsues apo elitist. Në institucione publike siç janë muzetë, kemi departamente të tëra që punojnë në “përkthimin” e gjuhës eksperte të artit bashkëkohor (si p.sh., departamentet e ndërmjetësimit, zhvillimit të audiencës dhe edukimit). Është simptomë e kësaj situate fakti që këto departamente janë shpesh më poshtë në hierarkinë e institucionit, në krahasim me programin artistik dhe kuratorial, në të cilin, shpesh nuk mund të ndëryhet fare.
Për edicionin e vitit 2024 të Biennale Matter of Art, kuratorët/et dhe ne, në tranzit.cz, u pajtuam për një rregull të përbashkët: ta komunikonim bienalen në gjuhë të përgjithshme, jo zhargon ekspertësh/esh. Bienalja zuri vend në Galerinë Kombëtare të Pragës, një institucion i madh në qendër të qytetit, i cili shpesh frekuentohet në verë jo vetëm nga vendorët, por edhe nga turistët që e duan kulturën. Nuk mund të pritet që turistët të kenë një gjuhë ekspertësh për artin, teksa po ashtu ata shpesh nuk kanë njohuri të mira të gjuhës çeke apo angleze. Prandaj, tekstet në anglisht, të shkruara nga kuratorët/et për punën e ekspozuar, u redaktuan me qëllim që të thjeshtohet gjuha. Një person që ka përvojë në mësimdhënie në anglisht dhe përkthim dhe që po ashtu është ekspert/e në art e kishte fjalën e fundit për përshkrimet.
Tekstet duhet të ishin të kuptueshme për njerëzit me nivel mesatar të anglishtes dhe duhej që të mos kishin fjalë teknike, të cilave nevojitej t’ua kërkoje kuptimin. Tekstet, të redaktuara kësisoj, u pritën me rezistencë nga kuratorët/et dhe artistët/et. Një prej kuratorëve dhe disa prej artistëve u ndien që tekstet i thjeshtuan dhe rrafshuan idetë e shprehura nga veprat e artit, pavarësisht faktit që neve na dukej se nuk ua kishim ndërruar kuptimin teksteve. Në fund, tekstet për veprat e artit ishin kompromis, as krejtësisht të qasshme, as krejtësisht me gjuhë eksperte. Përfundimisht, ato pasqyruan tensionet me të cilat ishim përballur gjatë tërë kohës.
Në diskutime, ishte e qartë se për disa njerëz, “të qenit i/e kuptuar” nënkuptonte të mendosh në mënyrë më empatike rreth lexuesit apo pranuesit të tekstit. Për të tjerët, ishte më me rëndësi që tekstet të shprehnin idetë e tyre fjalë për fjalë, duke përdorur saktësisht termat e duhur. Një shembull është një artiste e quajtur Sráč Sam, me të cilën ne si tranzit bashkëpunojmë. Sam ka një besim a priori në artin e saj dhe në njerëz dhe ajo nuk dëshiron të ketë supozime rreth asaj se çka mund apo mund të mos kuptojnë njerëzit e as nuk dëshiron të bëjë përpjekje të vetëdijshme për t’u kuptuar. Megjithatë, në punën e saj I Promise (Premtoj), ajo fton anëtarët e audiencës që të nënshkruajnë një dokument ku deklarojnë besimin e tyre në art në këmbim të një vepre të saj. Dëshira dhe qëllimi për t’u kuptuar mund të manifestohet në mënyra të ndryshme, edhe në vetë refuzimin e prerë për të bërë koncesione me qëllim që të tjerët të të kuptojnë ty.
Gjuha është e rrënjosur në ndërtimin shoqëror; gjuha që e përdorim pasqyron statusin tonë sociokulturor dhe klasor. Gjuha e fushës së artit pasqyron statusin sociokulturor të njerëzve në të. Kur po diskutonim një prej librave tanë me Laundry Collective, një kolektiv artistik, anëtarët/et e së cilit kanë përjetuar të qenit pa shtëpi dhe jetën në rrugë dhe kur e përmendëm termin “punëtor/e seksi”, ata qeshën. Na pyetën: E keni fjalën për “prostitutat”? Një herë e ftuam në kryeqytet një aktivist rom, një burrë nga klasa punëtore nga një qytet i vogël, në një ngjarje për ngritje fondesh për të mbështetur një nismë komunitare në të cilën ai ishte i përfshirë. Kryesisht të rinj të majtë erdhën në ngjarje dhe ishin të shokuar nga gjuha që përdorte ai. Për disa prej tyre, dukej se aktivisti rom përdorte gjuhën e politikanëve racistë.
Në qarqe aktiviste, akademike apo artistike, njerëzit janë shpeshherë shumë të kujdesshëm për gjuhën që e përdorin kur është fjala te ndjenjat dhe e drejta për vetëvendosje e njerëzve të cilëve u flasin. Ata/o janë të vëmendshëm ndaj dëmit që mund të shkaktohet me fjalë. Pozita prej së cilës flas është sigurisht një faktor në përdorimin e gjuhës. Është sigurisht ndryshe nëse unë, potencialisht, përdori një fjalë fyese për të përshkruar realitetin tim ose për të përshkruar një realitet, të cilin nuk e përjetoj. Megjithatë, komunikimi është proces dinamik. (Keq)kuptimi, mbi të gjitha, varet nga situata dhe kushtet në të cilat e gjejmë veten. Në disa situata të caktuara, kemi tendencë të mos duam të kuptohemi nga të tjerët—për shembull, në rrjete sociale ose, në përgjithësi, nën kushte që na duken armiqësore ndaj vetes sonë. Në situata tjera—për shembull, në një takim ballë për ballë ose në një kontekst që orientohet drejt të të kuptuarit—është më e mundur. A mund të mësojmë nga kjo në ngjarjet dhe programet që i organizojmë?
Në botën e artit, duhet të ketë një vend për “prostituta” dhe “punëtorë/e seksi”, një vend ku njerëzit mund të komunikojnë përtej klasës dhe dallimeve tjera. Më fjalë tjera, në art duhet të ketë vend për diskutime dhe tensione të ngjashme. Gjuha duhet të jetë e llojllojshme. Gjëja më e keqe është kur ekziston vetëm një gjuhë—ajo eksperte që krijon ndasi midis asaj që është brenda dhe jashtë. Është në rregull të mos kuptosh dhe të mos jesh i/e kuptuar, të gabosh ose të jesh i/e hutuar, por ky keqkuptim duhet të jetë një mjet, një shteg, jo një udhë pa krye. Është në rregull të mos kuptoni njëri-tjetrin, por kjo duhet të jetë pika kur ne kërkojmë për fjalë dhe gjuhë të reja, që na lidhin me të tjerët përkundër dallimeve.