← Fjalorth i termave të përbashkimit

Ndërthurja

Për ta përkufizuar termin ndërthurja, e kemi përkthyer një pjesë nga protokoli feminist i La Escocesa, i cili trajton dhunën në baza gjinore, diskriminimin dhe konfliktet që lidhen me gjini. Protokoli është shkruar nga Genera, një shoqatë që mbron lirinë dhe të drejtat seksuale dhe gjinore dhe specializon në konsulencë feministe. 

Ndërthurja është një term fillimisht i përdorur nga Kimberlé Crenshaw, në vitin 1989. Është një mjet që na e mundëson të analizojmë se si shtypjet strukturore ndërthuren në një kontekst shoqëror. Qëllimi i ndërthurjes është që të ofrojë një vizion më kompleks sesa një analizë të përqendruar vetëm në një çështje të veçantë (si për shembull, përqendrimi vetëm në gjini si boshti shpjegues për gjithçka), derisa në të njëjtën kohë, shërben për të analizuar format e ndryshme të dominimit të pushtetit. Kështu, ndërthurja na e ofron një pikëpamje për të kuptuar se si kategoritë e reja shoqërore shpërfaqen dhe se si pabarazitë dhe/ose përparësitë shoqërore formohen në udhëkryqet, ndërthurjet e tyre. Kjo na tregon se ku janë të vendosur akterët shoqërorë përbrenda marrëdhënieve të pushtetit në kontekste specifike socio-historike dhe se si ata kanë pikëvështrime të ndryshme për çështje të ndryshme shoqërore.

Ndërthurja na ndihmon të kuptojmë se si dallimet po ashtu formësojnë trajektore të përjashtimit/përfshirjes së ngadaltë dhe, si rrjedhojë, janë të vendosura në mënyrë asimetrike përmes sistemeve si patriarkia, homofobia, transfobia, klasizmi, racizmi apo aftësizmi (diskriminimi në bazë të aftësisë së kufizuar). 

Çka përfshin ndërthurja dhe si mund të punojmë me të përbrenda një kornize institucionale ose kolektive?

  • Merrni parasysh cilat boshte të dominimit janë relevante në raste të dhunës apo ngacmimit. Nuk ka të bëjë me vendosjen e ndërthurjes te njerëzit, por ka të bëjë me vëmendjen që i kushtohet faktit se si faktorët e ndryshëm strukturorë si seksizmi, klasizmi, racizmi apo statusi i shtetësisë (origjina dhe situata administrative), ndër tjera, e ndikojnë rastin.
  • Kuptoni dhe adresoni cenueshmërinë duke u përqendruar jo vetëm në personin, por kryesisht në strukturat që e ushqejnë atë cenueshmëri specifike të gjinisë, racës, shëndetit apo lidhjes së tyre me strukturat tjera të pushtetit.
  • Kuptoni se mënyra se si propozohen ndërhyrjet dhe shërbimet, si dhe mënyra e të të kuptuarit të dhunës dhe rikuperimit të grave ndikohet nga konteksti shoqëror dhe material dhe shpeshherë u përgjigjet kritereve sipas nevojave të grave, situata e së cilave shihet si “normale” (zakonisht atyre më të privilegjuara)
  • Kushtojini vëmendje të veçantë qasshmërisë së shërbimeve tuaja, mësoni rreth pengesave materiale dhe simbolike dhe mendoni për veprimet e nevojshme për t’iu qasur atyre më në rrezik.
  • Kuptoni nevojën për ta analizuar dhunën në terma të ndërthurjes, sidomos në raport me kushtet ekonomike, strehimin dhe situatën administrative, që e përjetojnë ata/o që përjetojnë dhunë. 
  • Sigurohuni që i merrni parasysh të gjithë faktorët që mund ta ndikojnë përkujdesjen ndaj personit (si për shembull, shërbimet publike që po dështojnë të kujdesen për ta, për shkak të paragjykimeve, frikën nga prania e policisë për shkak të mungesës së statusit ligjor administrativ, etj.).
  • Kur përqendroheni në një person, merrni parasysh se cilat strategji të ndërhyrjes mund të riprodhojnë marrëdhëniet e pushtetit. Është e nevojshme që mjetet që i zhvillojmë të mos jenë të ndërtuara sipas modelit të dëmshëm të dhunës sistemike, por të jenë asisoji që krijonë hapësirë për agjenci dhe fuqizim.

Protokoli feminist mëton të jetë një mjet për transformim dhe ndryshim shoqëror, jo vetëm në raport me situatat specifike që mund të ndodhin në La Escocesa, por për çfarëdo agjenti kulturor që promovon idetë e feminizmit dhe të drejtësisë transformuese. Kjo qasje mundëson, në njërën anë, që çdo njeri i prekur, të vendoset në qendër të ndërhyrjes dhe, në anën tjetër, që të mbrohen parimet që i konsiderojmë më etiket dhe më të dobishmet për kujdes individual dhe transofrmim shoqëror e komunitar.

Newsletter

Logo EU