← Fjalorth i termave të përbashkimit

Aleancat

Çkado qofsh — artist/e, punonjës/e kulturor/e apo institucion arti, nuk mund të shkosh larg i/e vetëm/me. Dhe kjo është edhe më e sigurt nëse je i/e përfshirë në projekte pjesëmarrëse, të përfshira dhe të përkushtuara në aspektin shoqëror. Këto mund të jenë aleanca me njerëz që mendojnë ngjashëm ose pozita qëllimshëm të zgjedhura për të plotësuar njëri-tjetrin. Aleancat formohen për periudha të ndryshme kohore; disa thjesht zgjasin derisa të përfundojë projekti, teksa të tjerat zhvillohen në periudha më të gjata, mbase pa një afat të caktuar. Sidoqofshin ato, aleancat kërkojnë vëmendje dhe duhen ushqyer. 

Nëse jeni ju ata/ato që e inicioni një aleancë, ka shumë gjasë që i ndani qëllimet në plotni. Megjithatë, nëse ftoheni për t’u bërë pjesë e një aleance, shumë pyetje lindin dhe duhet të qartësohet nëse qëllimet janë të përputhshme me qasjet dhe vlerat tuaja. Një çështje tjetër është se sa kohë apo energji keni vullnet t’i kontribuoni.

Duke qenë se kjo është një temë, ku njëmend deshëm t’i shqyrtojmë pikëpamjet e disa prej aleatëve tanë, vendosëm ta shtjellojmë termin përmes disa zërave. Kjo është pjesë nga një bisedë më e gjerë midis Ajete Kërqelit nga Fondacioni 17, Anton Lederer nga < rotor > dhe Tereza Stejskalová nga tranzit.cz rreth aleancave. 

Ajete: Kur është fjala për aleancat, ne u qasemi atyre me një ndjesi të baraspeshës, duke u siguruar që të mos jemi as krejtësisht të përfshirë e as krejtësisht të shkëputur. Përpiqemi të qëndrojnë të angazhuar mjaftueshëm për t’i kuptuar dinamikat, por edhe mundohemi të mbajmë distancën e nevojshme për të ruajtur qartësinë dhe këndin e vështrimit. Aleancat i shohim si korniza stabile, afatgjata, që na ofrojnë mbështetje përgjatë kohës. Derisa gjithnjë jemi gati të përgjigjemi në kohë urgjencash, qëndrojmë të përkushtuar në mbajtjen e një pikëpamjeje më të gjerë, më strategjike. Si fondacion, synojmë të bashkëpunojmë me grupe që janë proaktive—ata/o që veprojnë me qëllim, që parashikojnë nevojat në vend se thjesht të reagojnë. Marrë për bazë kompleksitetin e përgjegjësive tona, përpiqemi të jemi të vëmendshëm ndaj rrezikut për lodhje të tepërt (burnout) pasi mund ta ndikojë aftësinë tonë për të kontribuuar në mënyrë kuptimplotë dhe në aftësinë tonë për t’i bërë të qëndrueshme përpjekjet tona. 

Anton: Sa po flisnim për aleancat më komplekse me shumë akterë dhe me zhvillim afatgjatë. Kjo është ndryshe prej projektit tonë të përbashkët, Art Space Unlimited, i cili e ka një kornizë të caktuar kohore. Ky aktivitet ndodh dhe pastaj përfundon. Por, këto aleanca për të cilat po flasim—kurrë nuk e dimë në fillim se sa, në fakt, do të zgjasin. Mendoj, për shembull, që aleanca kundër të djathtës ekstreme mund të jetë e nevojshme për një kohë shumë të gjatë. Pastaj duhet ta konsiderosh investimin tënd personal, sa mund të kontribuosh—jo të jesh i pranishëm vetëm për disa muaj, por ndoshta për vite të tëra.

Tereza: E kam një imazh të asaj për të cilën po flisni; është metafora e babait, i cili nuk është i pranishëm. Babai që s’është i pranishëm nuk është aty, por pastaj papritmas ai vjen, i sjell gjithë ato dhurata, i plotëson gjithë ato dëshira, është argëtues, por pastaj lodhet mjaft shpejt dhe zhduket për një kohë të gjatë, ndoshta përgjithmonë. Ndërkohë, nëna është aty vazhdimisht, ajo nuk është aq argëtuese; është mjaft strikte dhe ka kufij të qartë rreth asaj që mund ta bëjë për ty, por ajo është aty. 

Anton: A jam unë nëna?

Tereza: Po, sepse ti mund të kontribuosh në mënyra të vogla ndoshta, por je prani e besueshme—njerëzit e dinë që do të jesh aty për afat të gjatë.

Ajete: Unë i shoh aleancat si partneritete dinamike. Secila palë sjell pikëpamjet dhe prioritetet e veta unike, por ka një themel të përbashkët që na mban bashkë për një bashkëpunim afatgjatë. Partneritetet e përkohshme, anipse të vlefshme, mund të jenë një hap drejt ndërtimit të aleancave më të forta, më të qëndrueshme. Aleancat e njëmendëta shkojnë përtej një qëllimi të vetëm apo reagimit të menjëhershëm, duke u përqendruar në bashkëpunim të qëndrueshëm përgjatë kohës.

Anton: Një shoqe imja, artistja Isa Rosenberger nga Vjena, flet për “aleancat e përkohshme”. Kjo është një strategji që ajo e zhvilloi në projektin e saj bashkëpunues me gra. Ajo thotë që disa prej grave mund të bëhen shoqe pas projektit dhe, mbase, bëjnë diçka bashkë. Aleancat e këtilla të përkohshme zgjasin disa muaj, ndoshta një vit dhe kësisoj e ke një rezultat. Por pastaj mund të vazhdojë dhe një aleancë e përkohshme mund të bëhet aleancë afatgjatë. Një herë, patëm ftuar një qendër feministe për një projekt. Në atë kohë, nuk mund të flisnim për një aleancë, por ishim tashmë mjaft të afërt me institucionin për shumë vjet dhe kështu, në fund doli të ishte njëfarë aleance. Në raste tjera, ftojmë njerëz për një bashkëpunim dhe asgjë nuk ndodh pastaj, për arsye të ndryshme. 

Tereza: Sa striktë duhet të jemi në aleancat tona? A duhet që gjithnjë t’u qëndrojmë besnikë vlerave tona themelore apo duhet të jemi më fleksibilë? A i vëreni dallimet midis aleancave me njerëz nga fusha e artit dhe aleancave me njerëz nga fushat tjera?

Anton: Mund të ketë një lloj tensioni të pavetëdijshëm me kolegë nga fusha e kulturës, sidomos midis atyre që punojnë në qytetin e njëjtë. Operojmë në fushën e njëjtë, u qasemi burimeve dhe fondeve të njëjta, e ndajmë një pjesë të audiencës. Përpiqem ta tejkaloj këtë atmosferë, por nganjëherë është aty. Kur isha punonjës i ri kulturor, e ndieja më fort; tensioni ishte mjaft i lartë, por kohëve të fundit është më mirë. Brezat e rinj tregojnë më shumë solidaritet dhe besojnë më shumë në aleanca. Bashkëpunimi në aleancë me organizata nga fushat tjera—si nga edukimi ose rinia, kultura apo migrimi—përfshin më shumë përparësi. Jeni më kureshtarë për njëri-tjetrin dhe është ajo ndjenja që mund të mësoni më shumë nga njëri-tjetri.

Tereza: Po, ti e njeh fushën në të cilën punon, por mund të mos dish aq shumë për fushat tjera. Në fushën kulturore mund t’i marrësh disa gjëra për të mirëqena apo edhe të supozosh për gjëra të caktuara. Në fusha tjera, është proces i të mësuarit. Mëson rreth asaj se si bëhen gjërat tjetërkund; dëgjon dhe nuk bën shumë supozime.

Ajete: Çka me të vërtetë ka rëndësi është urgjenca e përbashkët dhe përkushtimi që qëndron prapa aleancës. Nëse qëllimi është prioritet kryesor për të dy palët, atëherë fusha prej nga vijmë—qoftë arti, qoftë ndonjë sektor tjetër—bëhet dytësore. Çka e shtyn përpara një bashkëpunim është vendosmëria e përbashkët për të vepruar.

Newsletter

Logo EU