Shumica Globale

Termi “minoritet” shpesh nënkupton nënshtrim ose më pak rëndësi, duke përforcuar stigmat apo stereotipet, thellësisht të rrënjosura në trashëgimi koloniale. Për dallim prej kësaj, “shumica globale” njeh faktin që njerëzit me prejardhje afrikane, aziatike, latino-amerikane dhe indigjene e përbëjnë shumicën e popullsisë së botës. Ky ndërrim në terminologji sfidon pikëpamjet eurocentrike, që i pozicionojnë këto grupe si minoritete, pavarësisht rëndësisë numerike dhe kulturore të tyre. Po ashtu, shpreh se si kornizat koloniale, historikisht, kanë i fshirë dhe abuzuar epistemologjitë jo-Perëndimore, duke përforcuar shtypjen sistemike.
Termi fton për aplikimin e një pikëpamjeje dekoloniale me qëllim që të çrrënjosen strukturat koloniale, të mishëruara në institucionet kulturore dhe fton që të rimendohet se si ndërmjetësimi artistik mund të shpërbejë si mjet për rezistencë dhe riparim.
Termi u lind gjatë një ngjarjeje në La Escocesa, si pjesë e Trenza. Dizajnuar nga kolektivi Lumbre, përbrenda kornizës së Art Space Unlimited, Trenza (gërsheta) është një program ndërmjetësimi, qëllimi i të cilit është të realizojë një thirrje të hapur që La Escocesa të bëhet shtëpi për komunitetet, të cilat momentalisht nuk banojnë në të.
Trenza përqendrohet në njerëz që migruan nga Jugu Global, të cilët janë të përfshirë në prodhimin dhe praktikën e artit dhe kulturës dhe të cilët, për shkak të pabarazisë strukturore, nuk janë ende pjesë e rrethit të artit bashkëkohor të qytetit. Ky program ndërmjetësimi është i strukturuar përmes zhvillimit të mjeteve dhe takimeve, qoftë të hapura për publikun apo të mbyllura për grupe specifike.
Migrimi është një proces i çrrënjosjes, jo vetëm territoriale dhe emocionale, por edhe profesionale. Më të mbërritur në “territorin pritës”, mbijetesa ekonomike dhe burokracitë administrative, që lidhen me dokumentacionin e migrimit, marrin përparësi. Zakonisht merr kohë të ndërtohen rrjete emocionale dhe mbështetëse, që është arsye pse karrierat profesionale, të nisura në vendin e origjinës, mbesin të pezulluara. Puna në fushën e artit ka tendencë të jetë veçanërisht e ndërlikuar pasi secili vend i ka dinamikat dhe gjuhën e vet që, pas arritjes, kërkojnë procese përkthimi, të cilat mund të jenë mjaft frustruese.
Ky projekt ndërmjetësimi niset prej këtij realiteti, duke pozicionuar artistët migrantë jashtë kategorive të artistëve në bërje, të rinj apo në mes të karrierës së tyre. Migrimi ripërcakton trajaktoret artistike, duke i matur karrierat jo me standardet konvencionale, por përmes përvojës së përbashkët të kalimit prej Jugut Global në një territor evropian.
Një moment i rëndësishëm në këtë projekt ishte kur Lumbre ndau pikëpamjen rreth termit “minoritet” dhe tha se fjala e bartte peshën e kolonializmit; koncepti i Shumicës Globale, në anën tjetër, e çonte fokusin drejt një pikëpamjeje kritike.
Adoptimi i termit Shumicë Globale në hapësira kulturore dhe artistike nuk ka të bëjë vetëm me gjuhën; ka të bëjë me ndërrimin e mënyrës se si angazhohemi me komunitete dhe me çrrënjosjen e trashëgimive koloniale në ndërmjetësimin artistik. Në Trenza, kjo qasje nënkuptonte vënien në pikëpyetje të praktikave institucionale, të cilat shpeshherë e shfrytëzojnë diversitetin, në vend se të nxisin bashkëkrijim të njëmendtë, duke shpërfaqur se si shumë politika kulturore janë bashkëndihmëse të kornizave koloniale të pushtetit.
Duke vënë në qendër pikëpamje të Shumicës Globale, projektet si Trenza sfidojnë strukturat që vazhdojnë të margjinalizojnë grupe të caktuara, duke ofruar njëkohësisht modele për punë më të drejtë dhe më kuptimplotë kulturore. Një qasje dekoloniale jo vetëm që e ndryshon terminologjinë, por edhe e sfidon vështrimin kolonial, duke krijuar vend për narrativa të reja dhe praktika transformuese, që shkojnë nga gjithëpërfshirja simbolike drejt rishpërndarjes së pushtetit dhe burimeve.