← Fjalorth i termave të përbashkimit

Hyrje

A duhet që arti bashkëkohor të jetë ekskluziv? Përgjigja negative ndaj kësaj pyetjeje përbën bazën e kërkimit dhe eksplorimit tonë të përbashkët, të cilin e kemi emëruar Art Space Unlimited—një kooperativë e përkohshme e pesë hapësirave artistike evropiane, që kulmoi me këtë botim. Në një zotim të përbashkët për t’i ftuar dhe për t’u angazhuar me të tjerët, ishte e qartë që përpjekjet tona nuk duhet të kenë synim vetëm të angazhojnë publikun (dhe kundër-publikun, si për shembull: lëvizjet shoqërore, subkulturat ose njerëzit që përpiqen t’i sfidojnë normat mbizotëruese) por edhe të shërbejnë si një mundësi për të mësuar. Përgjatë procesit, u përfshim në diskutime dhe mësuam shumë, por çmësuam edhe më shumë. Kulmimi i kësaj energjie dhe i këtij eksplorimi përmbledhet në këtë botim, i cili përmban termat që na shërbyen si udhërrëfyesë dhe pika reference në këtë proces. 

Këta terma u formësuan në një fjalorth—një përmbledhje e ideve, të cilat neve na u dukën fundamentale. Synojmë që ky libër të jetë i dobishëm për punonjësit/et kulturorë/e, ndërmjetësuesit/et, kuratorët/et dhe artistët/et, si dhe për këdo që i bën vetes pyetje të ngjashme. Shpresojmë që termat, që po i prezantojmë këtu, do t’ua mundësojnë të tjerëve që të thellohen në çështjet që kanë të bëjnë me të ftuarit e audiencave të ndryshme përbrenda hapësirave të artit, duke ua mundësuar atyre që të arrijnë te përfundimet e veta, bazuar në kontekstet dhe situatat e tyre unike.

E kemi parasysh që shumë prej koncepteve me të cilat punojmë për kah natyra janë vazhdimisht të ndryshueshme dhe përkufizimi apo këndvështrimi ynë mund të sfidohet nga dikush tjetër në të ardhmen, mbase do të sfidohet edhe prej vetë nesh. Qëllimi i fjalorthit nuk ishte që ta gjejmë emëruesin më të ulët të përbashkët, por që të regjistrojmë diskrepancën e shpeshtë midis ideve dhe realitetit, duke identifikuar forma problematike të të menduarit, vepruarit dhe komunikuarit. Ishte detyrë e vështirë, pasi shumë prej çështjeve me të cilat u përballëm, nuk kishin përgjigje të qarta apo praktika të mira të themeluara. Në të njëjtën kohë, këta terma të fjalorthit iu përgjigjën pyetjeve, të cilat kishim nevojë vetë t’i shqyrtonim, në mënyrë që të kuptonim se çka funksionon për ne. Ne po ashtu besuam se ishte e nevojshme të ofrojmë kontekste dhe të prezantojmë projekte, që e informojnë të kuptuarit tonë se çka do të thotë të jesh mikpritës, të krijosh aleanca dhe të navigosh konfliktin në sferën e artit bashkëkohor. 

Në shumë mënyra, kjo nënkuptoi përkthim. Përkthim prej koncepteve shpesh të tejpërdorura dhe të mjegullta si gjithëpërfshirja apo pjesëmarrja në terma, qasje dhe, në një kuptim më të gjerë, mënyrë të të menduarit që është kritike ndaj diskursit që ende mbizotëron në debatin kulturor në të ashtuquajturin Perëndim dhe Veri Global. Përkthimi i dijes se zhvilluar dhe praktikuar para nesh në ambiente dhe kontekste lokale. Në fund, përkthim i të arriturave tona të veçanta dhe konkrete, si dhe dështimeve tona në fjalë, me shpresën që ato mund të jenë burim për ata që kërkojnë udhëzim dhe këshillim në projektet dhe përpjekjet e tyre. Nuk është një përkthim që synon të jetë një rikrijim besnik i mendimit origjinal, por më shumë një përzgjedhje e kujdesshme. Secili nga termat në këtë botim paraqet një akt të përkthimit të përvojave dhe dijes së përfituar nga një organizatë gjatë pjesëmarrjes së tyre në Art Space Unlimited dhe përvojave tjera. 

Libri është botuar përbrenda Art Space Unlimited, që është një projekt që buroi nga dëshira dhe përpjekja e përbashkët për t’i hapur institucionet për njerëzit, të cilët, për arsye të ndryshme, kanë qasje të vështirë, të ndërlikuar, të pamundësuar ose kufizuar ndaj artit, qoftë si krijues/e, pjesëmarrës/e apo shikues/e. 

Projekti u krijua nga organizatat tranzit.cz (Pragë, Republikë Çeke, < rotor > (Graz, Austri), OFF-Biennale (Budapest, Hungari), La Escocesa (Barcelonë, Spanjë) dhe Fondacioni 17 (Prishtinë, Kosovë), për ta transformuar praktikën tonë institucionale, me qëllim që të jemi më empatikë/e, mirëkuptues/e dhe të hapur/a ndaj njerëzve me nevoja, përvoja dhe perceptime të llojllojshme. Ky libër është një përpjekje për ta lënë një gjurmë të ideve tona grupore, duke ofruar një gjuhë, metodologji dhe mjete të ndërveprimeve shoqërore, të cilat shpresojmë se do të jenë të dobishme për prodhimin empatik të ngjarjeve dhe projekteve kulturore.

Ne i trajtojmë këto çështje nga pikëpamja e punonjësve/eve dhe praktikuesve/eve të angazhuar/a dhe vetëkritikë/e, që kanë për qëllim të arrijnë te praktikuesit/et, të cilët/at punojnë në fusha të ngjashme. Edhe pse të informuar nga burime akademike, termat janë kryesisht të bazuar në përvojën tonë, të ndërtuar përmes praktikës. Detyra jonë nuk ishte që të imponojmë ngurtësi, por të njohim kompleksitetet e mendimit versus veprimit, të reflektojmë rreth pyetjeve të ndryshme që ngriten përgjatë punës sonë. Të ftojmë ty, lexues/e i/e dashur, që të angazhohshi me këta terma, t’i vësh në pikëpyetje, t’i përshtatësh dhe t’i transformosh përbrenda konteksteve tua.

Newsletter

Logo EU